George Clooney tha se Matthew Perry e kishte të vështirë të ishte i lumtur kur xhirohej "Friends" për shkak të varësisë së tij ndaj alkoolit dhe drogës.
Clooney u shpreh për Deadline se dikur, ëndrra e Perry-t ishte të kishte një rol në një sitcom, gjë që ndodhi kur mori rolin e Chandler Bing në “Friends” më 1994-n.
“Ai ishte si një fëmijë dhe gjithçka që më thoshte ishte: ‘Unë thjesht dua të marr një sitcom, o burrë’. Unë thjesht dua të marr pjesë në një sitcom të rregullt dhe do të jem njeriu më i lumtur në tokë'”, tha Clooney.
“Dhe ai u bë pjesë e një prej më të mirëve ndonjëherë. Ai nuk ishte i lumtur. Nuk i solli gëzim, lumturi apo paqe,” shtoi më tej.
“[Rasti i tij] thjesht të tregon se suksesi, paratë dhe të gjitha këto gjëra, nuk të sjellin lumturi automatikisht. Duhet të jesh i lumtur me veten dhe jetën tënde.”
Matthew Perry ndërroi jetë nga efektet akute të ketaminës ndërsa faktorët kontribues përfshinin mbytje, sëmundje të arterieve koronare dhe efektet e buprenorfinës - e cila përdoret për të trajtuar çrregullimin e përdorimit të opioideve.
Në librin e tij me kujtime “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, të botuar në vitin 2022, Perry shkroi se krijoi varësi nga alkooli që në adoleshencë si edhe varësi ndaj ilaçeve kundër dhimbjeve pas një aksidenti në vitin 1997.