Të mërkurën dhe të enjten, një gjykatës hapi dosje të reja nga një çështje gjyqësore e lidhur me Jeffrey Epstein, dosje që janë përmendur nëpër media si "lista".
Financieri Jeffrey Epstein akuzohej për pedofili, ngacmim dhe trafikim seksual. Ai ishte një milioner i famshëm për miqësinë e tij me njerëz të njohur, politikanë, aktorë dhe V.I.P me profesione të ndryshme. Vdekja e Epstein në vitin 2019, e cila u cilësua si vetëvrasje nga autoritetet federale, ndodhi në burg teksa ai ishte në pritje të gjyqit.
Lista e Epstein nuk është në të vërtetë një listë. Të paktën, nuk është një listë e klientëve, as e njerëzve që kanë udhëtuar në ishullin e tij. Edhe pse përmenden disa emra, ato përmenden në një sërë kontekstesh.
Së bashku me njerëzit që kryen akte seksuale me disa nga viktimat, ka të tjerë emra që shfaqen vetëm sepse dikush pyeti për ta, ose sepse ishin vetë viktima, ose punonin për Epstein si punonjës.
Në shumicën dërrmuese të rasteve, nuk ka dëshmi për veprime kriminale nga personazhet e përmendur. Për shembull, një nga akuzueset Johanna Sjoberg tregon se u takua me Michael Jackson në rezidencën e Epstein në Palm Beach, por nuk i bëri masazh (pra, nuk kreu marrëdhënie seksuale).
Virginia Giuffre, një tjetër viktimë e Epstein, thotë se u dërgua të bënte seks me agjentin e modelingut Jean Luc Brunel gjatë festës së ditëlindjes së Naomi Campbell.
Në dokumente, një avokat e pyeti Sjoberg: "Pashë një raportim në shtyp që thoshte se kishit takuar Cate Blanchett ose Leonardo DiCaprio?"
Sjoberg u përgjigj: “Nuk i kam takuar, jo. Kur fola për ta, ishte kur po e masazhoja atë [Epstein-in] – dhe ai fliste shumë në telefon në atë kohë dhe një herë më tha: 'Oh, ky ishte Leonardo' ose, ‘Ishte Cate Blanchett, ose Bruce Willis." Ajo konfirmoi se "nuk ka takuar" as Blanchett, DiCaprio-n, Cameron Diaz apo aktorët e tjerë të përmendur.
Si këta, ka edhe të tjerë emra të personazheve të njohur, që jo detyrimisht janë përfshirë në veprimtaritë kriminale të Epstein.
Sidoqoftë, lista ka ngjallur debat, sepse me siguri një pjesë e emrave kanë qenë në dijeni të shfrytëzimit seksual të viktimave.