Emmanuel Macron emëroi ministrin e Arsimit, Gabriel Attal, si kryeministrin e ri të Francës. Menjëherë, Attal ngjalli jo pak diskutime për shkak të disa detajeve që e dallojnë nga paraardhësit e tij.
Në moshën 34 vjeçare, Gabriel Attal është kryeministri më i ri i Francës që nga koha e pasluftës. Më parë, rekordi mbahej nga Laurent Fabius, i cili ishte 37 vjeç kur u emërua kryeministër në vitin 1984.
Gabriel është kryeministri i parë homoseksual i Francës, ose të paktën kryeministri i parë që e ka pranuar hapur që është homoseksual. Ai ka pasur një lidhje me Stephane Sejourne, ish-këshilltari politik i Macron.
Attal iu bashkua Partisë Socialiste kur ishte 17 vjeç. Ai u bë një emër i njohur në politikën franceze pasi u emërua zëdhënës i qeverisë gjatë pandemisë.
Reforma e parë e Attal pas emërimit si ministër i Arsimit vitin e kaluar ishte ndalimi i veshjes muslimane abaya në shkollat shtetërore, gjë që i dha më shumë popullaritet në mesin e shumë votuesve konservatorë.
Kohët e fundit, ai deklaroi se është bullizuar në shkollën e mesme.