Të ka ndodhur të hysh në TikTok dhe ndër videot që të shfaqen janë disa për leximin e letrave tarot? Shumë persona po shprehen se algoritmi u sugjeron (edhe pa e kërkuar) lexim të fatit online me anë të letrave. Ndonjëherë nuk ke një imazh përpara, por vetëm duar që përziejnë letrat, ose një tavolinë me figura të renditura. Videot zakonisht nisin me frazat: “Kjo video është qëllimisht e drejtuar ndaj teje”/ “Nëse kjo video të shfaqet para datës (x), të dedikohet ty”.
Kaq mjafton që të biesh në grackën e platformës online. Aktualisht hashtag-u #tarot ka 85 miliardë shikime në TikTok, #psychic ka 10 miliardë dhe #fortuneteller plot 850 milionë. Meqë të shkosh për të parë letrat fizikisht (nëse beson) është bërë e vështirë, kjo është mënyra e thjeshtë virtuale dhe mbi të gjitha, falas. Të paktën kështu promovohet në TikTok.
Mënyra se si këto video arrijnë të hyjnë në profilin tënd është deri diku manipuluese. Por fajin nuk e ke ti, e ka algoritmi. Kështu e shpjegojnë specialistë të fushës. Frazat me të cilat luhet kanë aftësinë të ngecin dhe të marrin vëmendjen e kujtdo.
“Dikush nga e shkuara do të kthehet”, kaq mjafton për të të bërë të ndalosh. Algorithi të njeh, ai e di që ti ke pëqyer disa video për ish-at dhe fjala “ghosting” është në përshkrimin e tyre.
I gjithë ky fenomen po shihet si epoka e re virtuale për botën e manifestimit dhe të besimit në letra tarot dhe jo vetëm. Në këtë linjë virtuale të leximit të fatit, ka sigurisht edhe nga ata persona që hyjnë në live-t publike dhe paguajnë me monedhat virtuale të TikTok kundrejt premtimit për të lexuar fatin online.