Turqi/ Arrestohen 7 persona, pasi dyshohet se janë spiunë të Izraelit
Policia turke ka arrestuar 7 persona të dyshuar për shitje informacioni te shërbimi i inteligjencës së Mossad, përmes detektivëve privatë.
Personat e dyshuar u arrestuan në Izmir, si rrjedhojë e një operacioni të përbashkët mes policisë dhe Organizatës Kombëtare të Inteligjencës në Turqi. Më parë, edhe 34 persona janë arrestuar, pasi dyshoheshin se ishin spiunë të Izraelit. Pretendohej se këta persona do të kryenin aktivitete të ndryshme, përfshirë përgjimin, ndjekjen dhe rrëmbimin e shtetasve të huaj që jetonin në Turqi.
OKB bën thirrje për rikthimin e fondeve, ndërsa kriza në Gaza thellohet
Agjencia e OKB për Palestinën, UNRWA, ka paralajmëruar se tanimë, Gaza do të përjetojë një katastrofë humanitare. Ekspertët e OKB-së vazhdojnë t’u bëjnë thirrje vendeve që kanë ndërprerë fondet, që të rishohin vendimin e tyre dhe të financojnë Agjencinë, për të zbutur krizën dhe për të ndaluar katastrofën.
Shumë vende, përfshirë këtu SHBA, Kanada, Holandë, Finlandë etj kanë ndërprerë fondet pas skandalit se disa punonjës së Agjencisë kishin bashkëpunuar me Hamasin në sulmin e 7 tetorit kundrejt Izraelit. Punonjësit nuk punojnë më pranë Agjencisë dhe janë nën hetim.
Kili/ Zjarret nëpër pyje shkaktojnë të paktën 51 viktima
Të paktën 51 njerëz janë vrarë nga zjarret në pyjet e Kilit. Në një qytet bregdetar të vendit gjithashtu janë zhdukur rreth 200 persona dhe autoritetet janë vënë në kërkim të tyre.
Kili po përballet me disa vatra zjarri, të cilat janë përhapur kudo në vend. Më shumë se 43,000 hektarë tokë janë prekur nga këto zjarre dhe situata duket mjaft kritike.
Shkak për këto zjarre janë bërë temperaturat e larta dhe erërat e forta.
Francë/ Një person sulmon me thikë 3 individë në stacionin e trenit në Paris
Një peson i armatosur me thikë ka sulmuar tre të tjerë në një prej stacioneve kryesore të trenave në Paris, “Gare dy Lyon”. Sulmi ndodhi rreth orës 8 të mëngjesit me orën lokale dhe për pasojë, një person pësoi lëndime të shumta dhe 2 të tjerët më të lehta.
Personi që kreu krimin u identifikua dhe arrestua, ndërkohë që nuk dihen arsyet pse kreu një veprim të tillë.