Prindërit e Lacey Fletcher, një vajze nga Louisiana, e cila e gjet “e shkrirë” në divanin e shtëpisë ku jetonte me familjen, janë dënuar me 20 vite secili. Sheila dhe Clay, të cilët injoruan gjendjen e vështirë shëndetësore të së bijës dhe e neglizhuan aq shumë sa trupi i saj u bë njësh me divanin, do të marrin dënimin për rastin në fjalë.
Lacey ndërroi jetë në vitin 2022 dhe ishte shumë e vështirë që trupi i saj të shkëputej nga divani ku qëndronte prej vitesh, pasi papastërtia dhe parazitët e kishin mbuluar.
Më 3 janar 2022, Sheila Fletcher, 64 vjeç, mori në telefon policinë dhe raportoi se e bija 36-vjeçare, Lacey Ellen Fletcher ishte gjendur e vdekur në divan. Pas analizimit të situatës, u kuptua se Lacey ishte neglizhuar për 12 vjetësh, për shkak të gjendjes së saj mendore dhe fizike. U mësua se Sheila dhe Clay e lanë të bijën të dergjej në divan dhe insektet të sulmonin trupin e saj, duke mos i ofruar kujdes mjekësor.
Lacey kishte autizëm dhe ishte bullizuar në shkollë. Kjo, i bëri prindërit që të merrnin vendimin dhe ta edukonin në shtëpi. Sheila dhe Clay ankoheshin shpesh për të bijën dhe shpreheshin se nuk do të donin të ishin kujdestarët e saj. Kur Lacey mbushi 14 vjeç, ajo vuajti nga një tjetër gjendje e vështirë mendore e fizike, e cila nuk e lejonte të dilte nga shtëpia. Në vend që të kërkonin ndihmën e mjekëve, Lacey dhe Clay e lanë në divanin e lëkurës, ku edhe ndërroi jetë.
Sheila dhe Clay thjesht vendosnin peshqirë rreth divanit që ta kishin më të thjeshtë të pastronin nevojat personale të vajzës. Gjithë pjesa tjetër e shtëpisë ishte e pastër, përpos divanit ku qëndronte Lacey. Koha kalonte dhe veshjet nuk i bënin më vajzës. Ato i shtrëngonin trupin e u mbushën me fekale dhe urinë, si dhe krimba që gjendeshin përreth divanit dhe në flokët e Lacey-t, duke bërë që uria dhe infeksioni në kocka t’i shkaktonin vdekjen.
Policia e gjeti trupin e vajzës në gjendje të tmerrshme dhe u mësua se ajo kishte 2 ditë që kishte ndërruar jetë, para telefonatës të së ëmës. Sheila dhe Clay gënjyen policinë duke thënë se prej 12 vitesh, Lacey nuk kishte pranuar ndihmën e tyre.
Policët dhe mjekët që gjetën trupin e vajzës u shprehën se për shumë ditë nuk mundën të hanin dhe të flinin, për shkak të pamjeve dhe natyrës tronditëse të krimit.
Sipas The Advocate, për çështjen e tyre kanë dëshmuar 11 persona, për 6 orë dhe vendimi i radhës u dha në District Courthouse, Clinton. Sipas dëshmitarëve, të dy prindërit qanë, ndonëse për vite me radhë e lanë të bijën në kushte të tmerrshme.
Ata refuzuan që t’i jepnin të bijës ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kujdesin e duhur. Në dokumentet e gjykatës, të siguruara nga The Advocate, autoritetet u shprehën se trupi i vajzës ishte i mbuluar me krimba. Ajo ishte prekur nga ulçera dhe fytyrën, gjoksin dhe barkun e saj e kishin mbuluar fekalet. Prindërit, për t’u mbrojtur, ishin shprehur se vajza refuzoi kujdesin mjekësor, por prokurorët, përmes provave, dolën në konkluzionin se Lacey nuk ishte në gjendje mendore për të refuzuar trajtim mjekësor.
Një mjek ligjor bëri me dije se pesha e saj ishte shumë e vogël dhe se i dukeshin të gjitha kockat. Gjithashtu, u raportua se ajo ishte prekur edhe nga Covid-19. Ekspertët thanë se Lacey ndërroi jetë nga “neglizhenca akute mjekësore”, që daton që prej vitit 2010, megjithëse prindërit supozohet ta vëzhgonin dhe të ishin kujdestarët e saj.
Pas vendimit për dënimin prej 40 vitesh (së bashku), prokurorët dhe avokati i çështjes dhanë mesazhin se një sjellje e tillë nga prindërit nuk mund të tolerohet. “Kini kujdes për miqtë tuaj, bisedoni me fqinjët dhe sigurohuni që të mos i ndodhë askujt tjetër. Është diçka që mund të ishte parandaluar”.