Profesori Xhevat Krasniqi, i cili jepte mësim në Universitetin e Prishtinës, është denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual. Ai është denoncuar në Këshillin e Etikës dhe për momentin, deri në zbardhje të rastit, është pezulluar nga detyra.
Dëshmitë
Një prej studenteve të tij, Anita Mjeku, foli për “Good Morning Albanians” dhe tregoi se profesori i merrte një nga një studentet në zyrë, për t’i pyetur mbi lëndën dhe atje i ngacmonte seksualisht.
Anita u shpreh:
“Profesori i thërriste në zyrë studentet për t’i pyetur një nga një dhe ua mbyllte derën, gjë që është kundër ligjit, sepse dera duhet të qëndrojë e hapur. Njërës prej tyre i ka thënë që edhe t’i bëjë masazh dhe i është afruar që ta përqafojë. E ka përqafuar pa dëshirën e saj. Ish-studentet kanë ndarë të njëjtën eksperiencë. Është i njëjti profesor që ka qenë i pezulluar për shkak të ngacmimeve seksuale”.
Një dëshmi nga një vajzë anonime (nuk dihet nëse është ajo për të cilën po fliste Anita), tregoi përvojën e saj me profesorin:
“Kam hyrë të konsultohem me profesorin në fjalë dhe për të parë se ku m’i kishte hequr 0,5 pikë nga provimi. Jo vetëm që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë, me një përgjigje aspak morale dhe profesionale”, u shpreh vajza, e cila paraqiti ankesën e saj në Këshillin e Etikës.
“Po citoj fjalët e tij: “Unë jam i drejtë në vlerësim e kështu jam i drejtë. Kur të duash, të bëj një masazh”. Ai më ka demonstruar me duar fjalën “masazh” dhe është afruar për të më përqafuar”, vazhdoj mandej vajza.
Protestat kundrejt profesorit
Studentët e Këshillit të Etikës në Universitetin e Prishtinës protestuan mbi ngjarje, madje edhe u përballën me profesorin, duke i thënë se ai ka kryer gjeste të tilla. “Më ke thënë a dëshiron të të bëj masazh! Pranoje që edhe nga universitetet e tjera je larguar për ngacmim seksual. Pranoje se kush je! Kam pasur frikë para një viti, por sot nuk kam më! Dal para të gjithëve”, tha studentja e cila kishte paraqitur ankesën e saj pranë Këshillit.
Edhe Lëvizja Feministe Studentore në Kosovë protestoi, duke vendosur në derën e profesorit disa shiritë dhe e cilësoi kështu zyrën e tij si një “skenë krimi”.
“Ai është pezulluar dy herë për ngacmim seksual, njëherë nga Universiteti i Gjakovës e herën tjetër nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ai nuk mund të vazhdojë të mbajë ligjërata në universitet. Andaj, s’i duhet as zyra, vendi ku shumë vajza kanë dëshmuar që janë ngacmuar. Ngacmimi seksual është krim”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Feministe Studentore.
Hapi i radhës, u takon organeve kompetente të prokurorisë.
Procesi hetimor
Ndërkohë, pas rekomandimit të Këshillit të Etikës, u ngrit një çështje penale, e cila do të sqarojë saktësisht se ç’ka ndodhur. Zëdhënësja e prokurorisë, znj. Laureta Ulaj, njoftoi se po mblidhen dëshmitë dhe po merren deklaratat nga personat e përfshirë në çështje.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, për të grumbulluar provat dhe informatat që lidhen me këtë çështje. Aktualisht, janë duke u marrë deklarata të personave të përfshirë në këtë rast, si dhe po kryhen veprime të tjera hetimore, sipas dispozitave të KPPRK-së.”
Siç e thamë edhe më sipër, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e ka pezulluar profesorin nga detyra.