
Një problem shëndetësor është bërë shkak që Rita Ora të anulojë performancën e saj në skenën e “Campus Festival” në Hungari. Ka qenë vetë këngëtarja që ka ndarë virtualisht me të gjithë njoftimin për arsyet e anulimit të kësaj shfaqjeje në koncert.
Kështu, përmes një fotoje nga ambientet e spitalit, Rita shkruan në Facebook:
“Hungari, Festivali Campus. Mbrëmë më duhej të shkoja urgjent në spital dhe u largova në orën 7 të mëngjesit sot. Për fat të keq, kam probleme me gurët në veshka. Falënderoj të gjithë mjekët dhe stafin mjekësor për durimin dhe që më ndihmuan me dhimbjen time. Premtoj se do të kthehem së shpejti dhe më vjen shumë keq që nuk do të performoj sonte. Me shumë dashuri, Rita”.

Rita është prej disa kohësh e angazhuar në një tur koncertesh nëpër Europë, ku protagonizmi i saj i fundit ishte në festivalin “As young as vilnus” në Lituani, ku u ngjit në skenë përpara 50 mijë personave.
“Sinqerisht, ju kërkoj shumë falje për këtë zhvillim të papritur, por fatkeqësisht nuk mund të dal sot në skenën e “Campus Festival”. E kam kaluar natën në spitalin e Budapestit, ndaj më duhet të pushoj dhe të ndjek këshillat e mjekëve. Më vjen shumë keq për fansat e mi që do të jenë atje dhe jam shumë mirënjohëse për mirëkuptimin,” shkroi ajo në një tjetër postim në Instastory.
Por, artistja zgjodhi që t’i qetësojë ndjekësit duke premtuar se do të kthehet sërish në skenë për të qenë përballë admiruesve të muzikës së saj.
Artikuj të sugjeruar: