
Ditën e nesërme (24 gusht 2024), aktori i famshëm Alain Delon do të përcillet për në banesën e fundit, pasi ndërroi jetë të dielën në moshën 88-vjeçare. Ceremonia do të mbahet në kishën private që ai ka ndërtuar brenda oborrit të rezidencës së tij në Douchy-Montcorbon, një qytet i vogël në rajonin Centre-Loire Valley, ku ylli francez i filmit jetoi për gati 50 vjet.
Ai ka folur për “La République du Center” në vitin 2011 dhe është shprehur për amanetin e tij të fundit pas vdekjes dhe dëshirën për t’u varrosur në vendin ku jetoi për dekada.
“Është shtëpia ime, ku dua t'i mbyll ditët e mia dhe ku dua të vdes. Aty kam ndërtuar një kishë dhe do të varrosem atje në praninë e qenve të mi", ai u shpreh ai gjatë intervistës.
Por, varrimi në një tokë private është një rrethanë e jashtëzakonshme në Francë dhe Delon në fakt i ka paraqitur një kërkesë zyrtare me shkrim prefekturës përpara dy vitesh.

Aktori do të varroset me 35 qentë e tij, të cilët kanë ngordhur ndër vite. Madje, në vitin 2018 në një tjetër intervistë për mediat franceze ai ka kërkuar që qeni i tij me emrin Loubo të “vdiste në krahët e tij” ditën e vdekjes së tij, përmes eutanazisë (vdekje e asistuar nga mjeku/veterineri, në rastet kur një pacient/kafshë vuan nga një sëmundje e pashërueshme, vdekja është e pashmangshme dhe vuajtja është e madhe). Familjarët e kanë kundërshtuar këtë kërkesë dhe nuk e kanë plotësuar këtë amanet të fundit të aktorit të ndjerë, duke e lënë në jetë qenushin 10-vjeçar.
Përtej kësaj, Alain ka kërkuar që i gjithë funerali të jetë shumë privat me praninë e familjarëve dhe vetëm 40 personave, pa ceremoni zyrtare. Njerëzit edhe pse të çuditur nga këto kërkesa të artistit të ndjerë, nga qentë te riti privat i ceremonisë së varrimit sërish nuk kanë ndaluar së vendosuri buqeta me lule dhe të lënë shkrime me dedikime në portën e rezidencën së tij.
Artikuj të sugjeruar:
Burimi: Vanity Fair