Celebrity

Lady Gaga thotë se është shëruar nga fibromialgjia: Ç’duhet të dimë për këtë çrregullim

Shkruar nga Anabel

17 Shtator 2024

Lady Gaga thotë se është shëruar nga fibromialgjia:
FOTO: REUTERS

Në kopertinën e tetorit të revistës “Vogue”, Lady Gaga ka folur për shumëçka, nga karriera muzikore, te roli në filmin që pritet të shfaqet në kinematë botërore “Joker: Folie à Deux”, por njëherësh ka zbuluar detaje edhe çrregullimi i fibromialgjisë, nga cili thotë se është shëruar prej disa kohësh.

Artistja është përballur me këtë gjendje, pasi pësoi një thyerje në pjesën e legenit gjatë turneut “The Born This Way Ball” në vitin 2012. Në intervistën e fundit për “Vogue”, Gaga thotë se vetëm përpara dy vitesh arrit që të ngjitej në skenë dhe të performonte pa dhimbje.

“Ishte hera e parë që këndoja pa dhimbje në trup dhe kjo ndodhi gjatë turneut “Chromatica 2002”. Unë kam hequr dorë edhe nga duhani dhe ky ndryshim ka ndikuar shumë tek unë, sidomos në pjesën shëndetësore,” thotë ajo.

Çfarë është fibromialgjia?

Sipas klinikës Mayo në SHBA, fibromialgjia është një gjendje dhimbjesh kronike që përhapen në gjithë trupin duke shkaktuar lodhje, probleme me gjumin, kujtesën, humorin etj. Studiuesit mendojnë se ky lloj çrregullimi ndikon në mënyrën se si truri dhe palca kurrizore përpunojnë sinjalet e dhimbjes. Simptoma të tjera mund të jenë edhe problemet me përqendrimin, po sipas klinikës Mayo.

Simptomat mund të fillojnë pas një traume fizike, si në rastin e Gaga-s që ka pësuar frakturë në ije. Por edhe gjendje të tjera si stresi, operacionet apo infeksionet e ndryshme mund të çojnë në fibromialgji. Rreth 2 deri në 4% e njerëzve jetojnë me fibromialgji, sipas American College of Rheumatology dhe kjo prek më shumë gratë se burrat.

Si trajtohet ky çrregullim?

Duket se nuk ka një kurë specifike për fibromialgjinë, por ka mënyra për të lehtësuar dhimbjen. Në filmin e saj në Netflix, Gaga shihet duke bërë masazhe në qafë dhe shpatulla dhe ushtrime që ndikojnë në uljen e dhimbjeve. Strategji të tjera të dobishme janë noti, joga, ecja ose akupunktura. Lehtësimi i stresit nëpërmjet meditimit dhe frymëmarrjes së thellë mund të jetë njëherësh një mënyrë e mirë për ta trajtuar këtë gjendje. Por, gjithnjë në varësi të situatës është mjeku juaj ai që ju jep një përgjigje më të detajuar dhe një orientim të saktë për mënyrën e trajtimit.

Artikuj të sugjeruar:

 

Burimi: Well+ Good