Ka ndërruar jetë në moshën 44-vjeçare ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gert Bogdani. Lajmi është konfirmuar edhe nga ministria e Shëndetësisë. Bëhet me dije se Bogdani ka pësuar arrest kardiak gjatë mëngjesit të ditës së martë. Ai është dërguar në spital në gjendje të rënde shëndetësore, ku ka ndërruar edhe jetë.
Gert Bogdani u diplomua në universitetin Politeknik në New York, ku u diplomua me “Nderimet më të Larta”. Ai nisi karrierën në vitin 2007, ku kandidoi si kryetar i njësisë bashkiake nr.10 në Tiranë për PD. Ai fitoi garën. 2 vite më vonë, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009 dhe u zgjodh si deputeti më i ri në Kuvendin shqiptar. Nga viti 2009 deri në vijim, ka vazhduar aktivitetin si kryetar i Formunit Rinor të PD.
Në vitin 2011 ai u zgjodh zëvendëspresident i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” dhe më tej, në janar të vitit 2012 mori rolin e nënkryetarit. Në shtator të vitit 2015, ai u zgjodh kryetari i IYDU, në Kongresin e zhvilluar në Lisbonë, ku u bë edhe politikani i parë shqiptar që mban një post të tillë në një organizatë ndërkombëtare.