Sot sfera e politikës dhe jo vetëm u trondit nga lajmi se Gert Bogdani ndërroi jetë në mënyrë të beftë dhe në moshë të re. Sipas dëshmive të miqve me të cilët ishte në momentet kur kaloi arrestin kardiak, ish-deputeti ishte duke pirë kafe, kur shfaqi probleme me frymëmarrjen. Më tej, shkoi në tualet dhe për shkak se u vonua, miqtë u shqetësuan dhe e kërkuan, për ta gjetur të shtrirë në dysheme. Sipas policisë, ai është transportuar në spital, por për fat të keq, ka ndërruar jetë.
Lajmi tronditës shokoi njerëzit dhe sigurisht, bashkëshortja, miqtë e deputetët e Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste shprehën ngushëllimet e tyre.
Përmes një postimi në Facebook, e shoqja e të ndjerit, Edlira Çepani, bëri me dije se ku dhe kur do të kryhet përcjellja për në banesën e fundit.
“Me hidhërim të thellë, njoftojmë humbjen e parakohshme të babait, bashkëshortit, djalit, vëllait Gerti Bogdani. Njoftojmë se homazhet dhe ceremonia e lamtumirës do të bëhen ditën e nesërme dt. 19 Shtator 2024, në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës”.
Një reagim bëri edhe kunati i tij, Arbër Çepani në Instagram. Ai u shpreh: “Pse na e bëre o Gert…pse na e bëre?”.
Ndërsa Lisandër Hoxha, një prej miqve të tij, u shpreh:
“Jemi të shokuar, kemi humbur, një mik dhe një shok, një djalë të mrekullueshëm dhe jam sinqerisht pa fjalë. Një njeri i mirë, i cili i dha shumë Forumit të PD kur ishte kryetar, si dhe parlamentit kur ishte deputet. Unë si Lisandër kam pasur shumë shoqëri me të dhe ndihem shumë i tronditur. Gerti Bogdani ka qenë një njeri shumë i rregullt, bënte një jetë të rregullt, familjar dhe ndaj ne të gjithë si miq jemi të shokuar. I shpreh ngushëllimet familjarëve, miqve dhe të afërmve. Sikur të kishte pasur më shumë djem si Gerti, ndryshe do të ishte Shqipëria”, tha Hoxha.
Ish-deputetja e PD-së, Lajla Përnaska, e cila e njihte Bogdanin që fëmijë, u shpreh për Euronews:
“Së pari, dua të shfrytëzoj edhe median tuaj që t’i përcjell ngushëllimet e mia prindërve, bashkëshortes, fëmijëve. S’do e kisha imagjinuar kurrë të isha në një panel të tillë të flisja për diçka të kësaj natyre. Jam këtu në respekt të figurës së Gertit dhe gjithë asaj që ai ka lënë pas, në respekt të njohjes sime me familjen dhe në vazhdim të rrugëtimit tim edhe për punën me të brenda Partisë Demokratike. Njohja me të është që fëmijë, sepse me nënë e Gertit kam lidhje familjare, ishte imazhi i një fëmije me një model të shkëlqyer në shkollë, në sjellje. Unë e ndoqa me shumë kënaqësi mbrëmë në një media, kur diskutohej për fushatën zgjedhore në SHBA dhe m'u bë qejfi që u rikthye në debatin politik e publik,” –u shpreh Përnaska.
Sali Berisha gjithashtu ka shprehur tronditjen dhe ngushëllimet e tij:
“Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare”,- shkroi ish-kryeministri.
View this post on Instagram
Edi Rama shkroi: “Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani”.
Edhe ish-presidenti Ilir Meta shprehu dhimbjen për lajmin tragjik:
“Thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani. Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes”.
View this post on Instagram
Presidenti Bajram Begaj u shpreh: “Hidhërim për ikjen e beftë nga jeta të Gerti Bogdanit. Ngushëllime familjes së tij, bashkëshortes, të afërme, miqve dhe kolegëve! Gerti Bogdani, i angazhuar që në rininë e tij në jetën publike të vendit, promovoi vlerat më të mira në qeverisjen lokale, jetën parlamentare dhe atë politike, duke i shërbyer vendit, kauzës së të rinjve për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe integrimit në BE.”
Erion Veliaj tregoi keqardhjen e tij: “I keqardhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gert Bogdanit, ngushëllime bashkëshortes dhe familjes! U prehtë në paqe!”.
View this post on Instagram
Një ndër miqtë e tij, Fatmir Mediu, tha: “Eshte shokuese! Miku im prej vitesh Gerti Bogdani, deputet i Partisë Demokratike, ish-kryetar i FRPD, një njeri me cilësi të veçanta njerëzore ndërroi jetë. Të gjithë jemi pa fjalë, kjo është dhimbje e madhe. Zoti i dhëntë forcë Edlirës dhe fëmijëve, prindërve dhe vëllait të Gertit në këtë moment shumë të vështirë! Prehu në paqe miku im, pranë Zotit që ti besoje aq shumë”.
View this post on Instagram
Bledi Çuçi, në një postim në rrjetet sociale, tha: “Lajm i kobshëm ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani. Zor të gjesh fjalë që zbusin peshën e rëndë të dhimbjes e të zemrave të bëra gur prej tronditjes. Ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve e familjarëve të Gertit! U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti!”.
Blendi Fevziu tha se askush nuk meriton të ikë kaq i ri nga kjo botë e sidomos, Bogdani.
View this post on Instagram
Artikuj të sugjeruar: