Celebrity

Vdekja e Matthew Perry-t: Mjeku pranon fajësinë

Shkruar nga Anabel

4 Tetor 2024

Vdekja e Matthew Perry-t: Mjeku pranon fajësinë

Një mjek i akuzuar për vdekjen e aktorit Matthew Perry nga mbidoza e drogës, ka pranuar fajësinë. Dr. Mark Chavez ndryshoi deklaratën e tij në një gjykatë në Los Angeles, për akuzën e komplotit për shpërndarjen e ketaminës.

Chavez, 54 vjeç, drejtonte një klinikë të specializuar në ketaminë dhe e shiste atë për Dr. Salvador Plasencia, i cili më pas ia furnizonte aktorit Perry, ylli i serialit të famshëm të NBC,
“Friends”. Chavez është njëri nga pesë personat e akuzuar për vdekjen e Perry-t. Aktori 54-vjeçar u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në Kaliforninë jugore në tetor të vitit 2023.

Një autopsi zbuloi një përqendrim të lartë të ketaminës në gjakun e tij dhe përcaktoi se “efektet akute” të kësaj substance ishin shkaku i vdekjes. Ketamina përdoret për trajtimin e depresionit, ankthit dhe dhimbjeve.

Në marrëveshjen e tij për pranimin e fajësisë, Chavez pranoi se kishte marrë ketaminë si nga klinika e tij e mëparshme, ashtu edhe nga një shpërndarës me shumicë, përmes një recete të falsifikuar.

Prokurorët thanë se asistenti i Perry-t, Kenneth Iwamasa, kishte bashkëpunuar me të dy mjekët për t’i siguruar aktorit mbi 50,000 dollarë ketaminë në javët para vdekjes së tij.

Sipas aktakuzës, dy mjekët shkëmbyen mesazhe për çmimet që mund t’i kërkonin Perry-t për drogën, me një nga mesazhet që shkruante: “Pyes veten sa do paguajë ky idiot.”

Marrëveshja i lejon Chavez-it të pranojë fajësinë për një akuzë më të lehtë në këmbim të bashkëpunimit të tij në hetim, megjithatë ai ende mund të përballet me deri në 10 vite burg. “Ai ka pranuar përgjegjësinë dhe po bashkëpunon,” tha avokati i tij në gjykatë.

Chavez ka dorëzuar pasaportën e tij dhe ka pranuar të heqë dorë menjëherë nga licenca e tij mjekësore. Ai do të jetë i lirë me kusht deri në dënimin që do të jepet më 2 prill 2025.

Artikuj të sugjeruar: