Eja shohim pak Tv

5 perlat e Ilnisës në episodin e fundit të podcast-it të saj

Shkruar nga Anabel

5 Dhjetor 2024

5 perlat e Ilnisës në episodin e fundit të podcast-it të saj

“Një person që nuk ka gabuar asnjëherë në jetë, nuk ka provuar asnjëherë një gjë të re.”

Jo, këtë s’e themi ne, as Niçja, madje as Ilnisa, po Ajnshtajni, domethënë kështu tha Ilnisa të paktën.

“Flet”, podcast-i i ri në Top Channel, mund të mos jetë gjëja më e mirë që kemi parë, po është pa dyshim një emision argëtues… në mënyrën e vet.

Pa humbur kohë me shumë fjalë (se dhe ne si Ilnisës nuk na pëqejnë diplomacitë :p), ja 5 momentet kyçe të episodit me Ahmed Kalanë:

1. Ilnisa pyet hoxhën: “A e ndjetë erën e parfumit tim kur më takuat?”

Pyetjes jodiplomatike(!), që dukej sikur ishte më shumë një vazhdim i gjendjes… dehëse që na mbeti të gjithëve nga episodi me Laert Vasilin, hoxhë Kalaja iu përgjigj me zgjuarsi se “jo, pasi ndjeu vetëm aromën e portokajve”. Vazhdimi nga ana e Ilnisës me shprehjen se “Gruaja që hedh parfum vjen si një lavire në shtëpi” nuk po i japim dot shpjegim, sepse dhe në emision nuk na u dha ndonjë kamerdare logjike nga moderatorja.

2. Fjalët e pashpjegueshme mbi xhaketën e zezë

Fjalët e kësaj jave mbi xhaketë ishin: “Turp”, “Mami”, “Negative”. Edhe pse Ilnisa e shpjegoi në zanafillë se do të mbante mbi trup gjithë ofendimet e shqiptarëve, s’e menduam se do të kthehej në një traditë që vazhdon në çdo episod. Thënë kjo, ajo që mund t’i jetë dukur “gjetje” në fillim, tani është kthyer në një absurd që e humbet edhe misionin e vet ndërgjegjësues.

3. Shprehjet e mençura që hyjnë si “pykë” mes rreshtave

Jo çdo fjalë që thuhet, mbart ndonjë kuptim filozofik të thellë pas saj, por s'është ky rasti me Ilnisën. Ilustrojmë disa shprehje të thella, që s’marrin ndonjëherë shpjegim:

-“Sa më larg dukesh, aq më afër je.”;

-“Ju, zoti Kalaja, shkoni në shtëpi?”;

-“Ç’do të thuash me këtë?” (kur Kalaja tha se kishte qenë nxënës shembullor);

-“A e shpiku TikTok-un shejtani?”;

-“Po magjia… fenomen… Si ka mundësi?”

4. Edhe sa myslimanë do pyesim “Ç’mendon ti për Hatin?”

S’e dimë kush e ka shpikur rregullin e të pyeturit myslimanët se ç’mendojnë për Hatin, po duhet të ndalojë sepse përveçse tregon injorancë të madhe, nuk bën gjë tjetër.

5. Vendosja e shamisë në emision

Fill ky veprim pas tendencës për të nxjerrë me grep ndonjë të sharë për një vajzë të mbuluar në TikTok. Ndonëse nga disa mund të interpretohet si shenjë respekti ndaj të ftuarit, ne mendojmë se ka mënyra më inteligjente për ta shprehur atë.

Gjithsesi, për ju që mund ta keni humbur episodin, ndiqeni dhe gjykojeni vetë:

 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.