Rreth 50 persona të zhveshur morën pjesë në shfaqjen e filmit “Tú no eres yo" në kinema në Valencia dhe në Barcelonë. Ata hynë në sallë, lanë çantat mbi karriget, u zhveshën duke biseduar me personin përkrah dhe më pas u ulën mbi një peshqir sipër ulëses. Me natyrshmërinë e atyre që heqin rrobat në shtëpi për të veshur pizhama ose për t’u larë nisën të shikonin filmin.
Dy kinema në Spanjë, Girona në Barcelona dhe Lys në Valencia, zhvilluan shfaqjet e para të filmit për nudistët në vend, me rreth 50 shikues në çdo sallë. Shumica ishin burra. Kjo iniciativë ka origjinën nga pjesëmarrja e një grupi nudistësh nga Shoqata Naturiste Valenciane në filmin që po shfaqej, një triler për Krishtlindje me titull “Tú no eres yo” (Ti nuk je unë), i xhiruar në vitin 2022 në Puig, Valencia, nga regjisorët Marisa Crespo dhe Moisés Romero.
“Nudizmi është më shumë se thjesht heqja e rrobave; ti heq turpin dhe shtresat dhe imponimet që të rëndojnë,” tha Ángela, tashmë e zhveshur para shfaqjes, të cilën e ndoqi me partnerin e saj.
Ata janë veteranë të nudizmit dhe shumë shpejt do të udhëtojnë në Meksikë për një udhëtim “trekking”, një nga aktivitetet më të zakonshme të grupit, përveç shkuarjes në plazh.
Pas daljes nga kinemaja, Ángela, një nga të pranishmet, e përshkroi filmin si “shumë të këndshëm, tensionues dhe të frikshëm."
Në Barcelonë, anëtarë të Klubit të Naturizmit Katalanas ndoqën shfaqjen.
Segimon Rovira, nënkryetar i organizatës, theksoi:
"Ideja është të jesh i zhveshur në zona natyrore: në mal, plazhe, por dimrit nuk mund ta bëjmë këtë dhe kështu organizojmë vizita në ekspozita ose muzeume… nuk është se promovojmë të shkojmë në kinema të zhveshur, por është e mirë të normalizohet lakuriqësia dhe ta ndajmë atë nga çdo konotacion seksual.”
Ai shtoi se gjithçka shkoi mirë.
“Shkoi shumë mirë, të gjithë ishin të lumtur dhe të rehatshëm në një mjedis natyral, gjithçka ndihmon për të normalizuar [nudizmin], por nuk duam të imponojmë asgjë,” shtoi Rovira, duke thënë se aktivitete si ky “janë gjithashtu një mënyrë për të mbajtur kontaktin mes anëtarëve.”
Pas shfaqjes në Barcelonë, një nga menaxherët e kinemasë doli në kërkim të shikuesve me një çorape në dorë që dikush e kishte harruar.
“Tú no eres yo” tregon historinë e Aitanës, që pas disa vitesh mungese, kthehet në shtëpinë e prindërve të saj për Krishtlindje për t’i befasuar ata me partneren e saj Gabi dhe djalin e birësuar. Sa herë që ajo arrin në shtëpi, zbulohet se familja e saj e ka zëvendësuar atë me një të panjohur të moshës së saj, i cili vesh rrobat e saj, fle në shtratin e saj dhe trajtohet si ajo. Nga ky moment, Aitana përpiqet të kuptojë se çfarë po ndodh në shtëpi, gjë që i bën shikuesit të përjetojnë tensionin që ndien protagonistja.