
Jay Z është përballur me debate në sallën e gjyqit pas veprimeve të tij të fundit që lidhen me akuzat për përdhunimin e një 13-vjeçareje, së bashku me P Diddy.
Ylli i muzikës, emri i vërtetë i të cilit është Shawn Carter, ka bërë disa përpjekje përmes avokatit të tij, Alex Spiro, për të hedhur poshtë çështjen ose për të detyruar identifikimin publik të gruas që ka ngritur akuzat.
Por të enjten, gjykatësja Analisa Torres vendosi në favor të akuzueses, duke i dhënë asaj anonimatin për fazën tjetër të procesit dhe duke e kritikuar ashpër avokatin Spiro.
Akuzuesja, e njohur me nofkën Jane Doe, pretendon se Carter, së bashku me reperin Sean ‘Diddy’ Combs, e dehën dhe e përdhunuan kur ajo ishte 13 vjeç në një feste pas ndarjes së çmimeve të “MTV Video Music Awards” në Nju Jork.
Carter ka mohuar me forcë akuzat, duke i cilësuar ato si të pabaza.
Në një dokument prej pesë faqesh të publikuar të enjten, gjykatësja Torres dënoi manovrat agresive ligjore të avokatit të Jay Z, duke i përshkruar ato si “të ashpra” dhe të mbushura me “gjuhë urrejtjeje.”
Ajo akuzoi avokatin e Carter për përpjekje për të përshpejtuar procesin gjyqësor duke depozituar vazhdimisht kërkesa për të zbuluar identitetin e Jane Doe dhe për të hedhur poshtë çështjen.
“Depozitimi i kërkesave agresive nga avokati i Carter, të mbushura me gjuhë urrejtje dhe agresivitet, është i papranueshëm, një shpërdorim i burimeve gjyqësore dhe një taktikë që është e pamundur të sjellë dobi për klientin e tij,” tha Torres. “Gjykata nuk do të përshpejtojë procesin gjyqësor thjesht sepse avokati kërkon këtë.”
Sipas padisë, incidenti i supozuar ndodhi pasi akuzuesja, atëherë një adoleshente që po përpiqej të hynte në shfaqjen e çmimeve në Radio City Music Hall, u ftua në një festë nga një njeri që pretendonte të ishte shoferi i limuzinës i Combs. Padia përshkruan se si, pasi mbërriti në festë, gruaja u detyrua të nënshkruante një marrëveshje për “t’i mbyllur gojën”, iu shërbye një pije e përzier me drogë dhe më pas u përdhunua nga Carter dhe Combs, ndërsa një “femër e famshme” po shikonte.
Në mbrojtjen e tij, Carter akuzoi si gruan ashtu edhe avokatin e saj, Tony Buzbee, për shpifje dhe krijimin e një “deklarate të rreme”.
Në një fitore të rëndësishme për gruan akuzuese, gjykatësja vendosi që anonimati i saj të ruhej për momentin.
Padia e Buzbee kundër Jay-Z është pjesë e një serie padish që ai ka ngritur kundër Combs, 55 vjeç, i cili ndodhet i burgosur në Nju Jork ndërsa pret gjyqin për akuza federale që akuzojnë se ai ka shantazhuar dhe abuzuar me gra për vite të tëra.
Jay Z ka thënë se padia kundër tij është pjesë e një përpjekjeje shantazhi. Pas publikimit të akuzave, ai lëshoi një deklaratë, duke akuzuar Buzbee-n për përpjekje për ta shantazhuar atë duke e detyruar të pranojë një marrëveshje ligjore për akuzat se ai dhe Combs përdhunuan një vajzë kur ajo ishte 13 vjeç.
Artikuj të sugjeruar: