Eja shohim pak Tv

Për ty që fjete herët: Momentet kyçe në “BBVA” dje

Shkruar nga Anabel

29 Dhjetor 2024

Për ty që fjete herët: Momentet kyçe në

Mbrëmja e djeshme në “Big Brother VIP Albania 4” nisi e qetë dhe pothuajse e mërzitshme, për t’u përshkallëzuar më pas në drama dhe të papritura që me siguri do të krijojnë debate dhe në ditët në vazhdim.

Kjo është një përmbledhje kronologjike e momenteve më të rëndësishme gjatë prime-it të mbrëmshëm:

#1. Dëshmuam një moment të ëmbël midis Redonit dhe Eglit

Redoni, ish-banori i shtëpisë, i cili vendosi të largohej së bashku me Gilin nga gara vetëm pas 6 ditësh brenda, ishte dje në studio dhe shkëmbeu një komunikim të shpejtë me një banore tjetër brenda shtëpisë, Eglin.

Gjatë pak ditëve dyshja kishin filluar të krijonin një miqësi të mirë me njëri-tjetrin. Egli u shpreh vazhdimisht se Redoni ishte “i vetmi që i jepte një ndjenjë qetësie aty brenda” dhe nuk ngurroi t’i thoshte dhe tekstualisht “Të dua shumë”, megjithëse kjo erdhi si një shprehje vlerësimi krejt miqësore prej saj.

Redoni nga ana tjetër, u shpreh se kishte lënë mbresa tek ai “ekzistenca e një vajze si Egli” dhe i zhytur në shpirtin poetik, i erdhi në kokë fjalia më romatike e mbrëmjes: “Unë mendoj që sytë nuk gënjejnë dhe mezi po pres të shoh të tutë”.

Shumë të lezetshëm apo jo? Do të shohim në vazhdim se ç’kanë parë këta të dy në sytë njëri-tjetrit, po kjo me gjasë do të jetë histori që nuk do i përkasë më brendësisë së Big-ut.

#2. Filloi të konsolidohet dyshja e “armiqve”: Rozana-Laert

Ndonëse miq të mirë prej vitesh, edhe fqinj në të njëjtin pallat, artistët u fërkuan pak me njëri-tjetrin dje. Nga shumë, kjo lojë e tyre u quajt farsë, si nga banorët e shtëpisë, ashtu edhe nga opinionistja Neda.

I pavend ishte momenti kur Laerti u shfaq duke folur me dikë tjetër në një klip për pamundësitë fizike të Rozanës për të bërë fëmijë, por u kalua aq normalisht sa të bën vërtet të dyshosh se kjo dyshe thjesht po përpiqet të krijojë dy polet e protagonistëve dhe liderëve në shtëpi, siç kemi parë më parë Egla-Juli, Luiz-Olta dhe Ilir-Donald.

#3. Vjen “xhuxhi” i parë në shtëpinë e VIP-ave: Arsida

E zgjedhur nga votat e publikut, Arsida u bë NIP-i (Not Important Person, sipas Ledionit) i parë që fitoi të drejtën për t’u bërë VIP.

Arsida hyri duke lënë përshtypjen e një gruaje me karakter të fortë, të cilën sigurisht nuk e pritën dhe me ëmbëlsi aq të madhe.

Nisur nga prime-i i parë fare, ku ajo dhe Gramosi patën menjëherë disa gërricje me banorët e tjerë, Arsida nuk hezitoi të adresonte gjithë personat që nuk i pëlqenin aty brenda: Rozana, Xumi, Zebërvoki dhe Jozi.

#4. Valbona merr rastësisht një hapësirë të konsideruar televizive

Valbona krijoi një lëmsh të madh dje në prime, e në të njëjtën kohë s’pati asnjë ndikim në dinamika.

Shumë i qartë shfaqet pëlqimi i saj për Laertin të cilin e mbronte sa herë fliste, me justifikimin se “Laerti është Laerti”. Për Amberin madje ajo ishte “peshku i parë i Laertit”, koment ky që ajo e vijoi me “Ta gëzosh vendin e punës” duke shkaktuar të qeshura.

Për sa i përket Valbonës si lojtare, u tregua shumë dje forca e argumentit  të saj kur nuk kishte më ç’t’i thoshte Gerta Gixharit dhe solli nga hiçi një muhabet Range Rover-i brenda shtëpisë. Sipas saj, në kohën kur të dyja ato kanë punuar në RTSH bashkë, Gerta është shprehur se produksioni i ka premtuar këtë makinë që ajo të pranonte të bëhej pjesë e Big-ut. Cilado qoftë e vërteta, situata nuk e nderoi aspak Valbonën.

#5. Hyn “xhuxhi” i dytë në shtëpi: Gramosi

Edhe Gramosi si Arsida kishte ca tensione të pashuara, veçanërisht me G. Banin dhe Xumin, të cilët nuk u ngritën as t’i jepnin dorën. Do të shikojmë si do të vazhdojë kjo marrëdhënie e tyre më tej.

#6. Egli shpërndan 9 biletat me mundësi kthimi brenda shtëpisë

Pas një loje ku duhet të zgjidhnin sa më shumë pako kafeje që përmbajnë bileta, Egli, si liderja e shtëpisë pati të drejtën të shpërndante 9 biletat që ajo vendosi t’ua jepte: Aldos, Livias, Amberit, Rozanës, Laertit, Olsit, Loredanës, Zebërvokit dhe vetes.

Ra në sy fakti që Egli nuk konsideroi t’i jepte biletë Xumit, Klajdit, Gertës e të tjerë, por një zgjedhje duhej bërë.

#7. Plas bomba: Rozana do të lërë menjëherë shtëpinë

Nëse kur u shfaq klipi i Laertit, Rozana nuk u  duk se u ndikua prej fjalëve të tij, kur Jozi doli duke biseduar për “sekrete të mëdha të Rozanës që po t’i tregonte ai, ajo do largohej menjëherë”, Rozana nuk i mbajti lotët dhe madje shprehu se donte të largohej nga shtëpia.

Situata krijoi patjetër një atmosferë të pakëndshme dhe fjalë si “ajo ka bredhur karrige më karrige” dhe “fiton festivale prej emrit të familjes dhe pse është stonaturë e gjallë” rënduan mbi Rozanën që u shfaq shumë e ngarkuar në dhomën e rrëfimit.

#8. Dalin në nominim 4 veta

Prej situatës së mësipërme doli në nominim Jozi me shumicë votash nga banorët brenda shtëpisë. Pas tij u bashkua dhe Valbona, Gerta dhe G. Bani.

Publiku duhet të votojë se kë do të shpëtojë nga të katërt deri në prime-in e ardhshëm, ditën e mërkurë, në datën 1 janar 2025.