
Dramë, lot dhe shumë debate. Të gjitha ndodhën mbrëmjen e djeshme në “Big Brother VIP”, ku hera-herë diskutimet zgjateshin e bëheshin të bezdisshme e ndonjëherë drama arrinte kulmin e saj.
Nuk e dimë që preferoni më shumë: lotët apo debatet, por jemi këtu për t’ia servirur të gjitha.
Nëse keni humbur diçka nga spektakli i mbrëmshëm i “Big Brother VIP”, hidhini një sy përmbledhjes që ne kemi përgatitur.
#1. Rozana fal Jozin
Rozana fali Jozin vetëm pak momente pasi spektakli paraardhës përfundoi dhe nëse ende nuk e dini: Jozi ofendoi këngëtaren duke e konsideruar “b*ndër që bën buzët dhe hundën” dhe jo vetëm.
Kjo falje solli një mori debatesh nga banorët, kryesisht nga Gerta, e cila tha se shtëpia u bë bashkë në solidaritetin e Rozanës, por kjo e fundit zgjodhi ta falte.
Disa aluduan se Rozana e inskenoi skenën e kërkimit të largimit nga shtëpia dhe disa të tjerë e panë të pavend faljen, të paktën në një kohë aq të shkurtër.
#2. Rozana fal Jozin, por jo Nedën
Rozana pretendoi se opinionistja e “BBVA”, Neda Balluku mban qëndrime personale të saj, nisur nga fakti se këngëtarja ka bërë disa shkrime në rrjete sociale gjatë kohës që Neda ishte banore në këtë format.
Pretendimi i Rozanës mori përgjigjen e Nedas, e cila fillimisht i tha se të gjykosh një vajzë 20 vjeç nuk të bën nder, ndërsa theksoi se mendimi i saj është i pavarur dhe nuk ndikohet nga të tilla pretendime.
Me një fjali të vetme, ajo tha: Nuk intimidohem!
#3. Debati Jozi-Livia
Edhe këtë herë, protagonist ishte Jozi dhe një tjetër vajzë, Livia. Gjithçka nisi nga aludimet e banorit mbi prejardhjen e Livias, ku siç u pretendua, nënkuptohej se banorja vinte nga komuniteti rom.
Livia mohoi pretendimet, duke thënë se nëse do i përkiste një komuniteti të caktuar do ta pranonte, por Jozi mohoi të ketë fyer banoren.
Sërish në vëmendje u risoll edhe programi “Përputhen” nga Livia vjen, gjë e cila u përdor si “armë” nga Jozi gjatë javës.
“Nuk e di pse i djeg”, ishte argumenti i tij gjatë spektaklit.
#4. Bernardi del hapur si gay
Një debat mes banorit të ri, Bernardit me Xumin dhe Zebervokin u pasua nga një deklaratë e fortë.
Djemtë përdorën gjatë javës fjalën “dylber”, por rezultoi që ky lloj termi do të sillte një përshkallëzim emocionesh te banori.
I gjendur në këtë situatë, mes shumë lotësh, ai tha hapur se është një homoseksual krenar. Deklarata u prit me përqafime nga të tjerë banorë që e mbështetën për guximin.
#5. Valbona thyen kutinë
Jozi ishte i eliminuari i mbrëmshëm me votat e publikut, teksa të fundit në renditjen e rastësishme të lexuar nga Ledioni, ishin ai dhe Valbona. Kjo e fundit pasi i shpëtoi eliminimit, zgjodhi të shpëtonte edhe Jozin.
Si? Vendosi të thyejë kutinë që mbante biletën vajtje-ardhje dhe ia dha Jozit.
Por ky vendim erdhi me një penalitet, pasi çdo biletë fati nuk vlen më.
#6. Historia e trishtë e Klajdit
Klajdi Musabelliu rrëfeu vështirësitë e jetës, duke nisur nga gjendja ekonomike, humbja e babait, lënia në mes e ëndrrës si këngëtar dhe papunësia.
Ai tregoi se jeton vetëm me nënën e tij që pas humbjes së të atit, në një banesë në kushte aspak të mira, ku shpesh shiu pikon brenda shtëpisë. Po ashtu, ai tregoi se i është dashur të emigrojë dhe të punojë punë të ndryshme me orare të zgjatura, vetëm për të mbajtur familjen.
Ai shtoi se para se të futej në “BBVA” ishte i papunësuar dhe po kalonte një periudhë të vështirë.
Produksioni i solli surprizë të mëdha pas këtij rrëfimi, por surpriza e vërtetë ishte se fondacioni “Fundjavë Ndryshe” mori përsipër rikonstruksionin e banesës së tij.
#7. Dy banorë të rinj
Danja dhe Petro Xhori ishin dy banorët e rinj të “BBVA”.
Petro Xhori është producent dhe muzikant, ndërsa Danja është modele. Kjo e fundit u fut e veshur si një engjëll.
Ata u futën në shtëpi në formën e dhuratave, të cilat u hapën nga Xumi dhe Egli.
#8. Ndarje në dy kampe dhe nominimet
Shtëpia u nda në dy kampe, atë të Rozanës dhe Olsit. Grupimi i këtij të fundit u zhvendos në ambientet e reja të shtëpisë.
Dy grupimet dolën në televotim “kokë më kokë”, ku siç Ledioni zbuloi, skuadra humbëse do të rrezikonte vazhdimin e qëndrimit në shtëpi.