Eja shohim pak Tv

Spartak Ngjela dhe “kënaqësia” e përdhunimit

Shkruar nga Anabel

13 Janar 2025

Spartak Ngjela dhe “kënaqësia” e përdhunimit

Spartak Ngjela u rikthye me një tjetër deklaratë që s’do të kishte bërë sens as në një debat kafeneje, e jo më në një studio televizive. Në një bisedë me (gazetaren?) Ilnisa Agolli, Ngjelës iu rikujtua deklarata e tij në “Më lër të flas” se “femra kur përdhunohet, pas një momenti të caktuar, fillon të ndjejë kënaqësi”.

Kur Ilnisa i kujton deklaratën, avokati bën atë që bën më mirë: e mohon, për të thënë pastaj… pikërisht të njëjtën gjë. Për t’ia shpëtuar vetes logjikisht, nis të flasë për vullnetin dhe moralin. Po ç’lidhje ka morali me një krim si përdhunimi?Mos u përgjigjni se ishte pyetje retorike…

Ngjela: “Dëgjo me vëmendje, përdhunimi është mungesë vullneti. Vullneti është moral”.

Ilnisa (e cila nuk ka nevojë të ketë një diplomë filozofie për ta kuptuar absurditetin): “Qartë”.

Po si të jetë e qartë kjo, zoti Ngjela?

Përdhunimi dhe vullneti

Le t’i rikthehemi termave që përdor Ngjela:

Përdhunim: Akt seksual pa pëlqimin e një personi.

Vullnet: Dëshira e lirë për të bërë diçka.

Pra, një përdhunim ndodh pikërisht kur s’ka vullnet. Këtu, çdo logjikë normale përfundon. Por jo, Ngjela shkon më tej dhe thotë: “Nëse ajo nuk ka dhënë vullnetin, pas një momenti të caktuar mund të ndjejë kënaqësi, por më pas shkon të të denoncojë”.

Pra, nëse një grua nuk ka dhënë pëlqimin për një akt seksual, çdo gjë që ndodh më pas është dhunë. Dhe dhuna nuk sjell kënaqësi. Përkundrazi, përdhunimi lë pasoja të rënda emocionale, fizike dhe psikologjike. Nuk ka moment të aktit kur trupi apo mendja e një personi të dhunuar ndjen “kënaqësi”.

Ngjela, duke e konsideruar “kënaqësinë” si një reagim instinktiv gjatë një akti dhune, tregon se nuk e kupton as biologjinë e trupit të njeriut, as psikologjinë e viktimave. Dhe për më tepër, një avokat që thotë diçka të tillë, përveçse dëmton reputacionin e vet, ndikon negativisht në mënyrën se si shoqëria i percepton viktimat e dhunës.

Ngjela thotë se përdhunimi lidhet me moralin. Në fakt, pjesa me e madhe e moralit të një shoqërie matet pikërisht në mënyrën se si trajton viktimat e dhunës. Dhe me këtë deklaratë, ai ka dëshmuar një mungesë të plotë morali - sepse të justifikosh përdhunimin me “kënaqësi instinktive” është një lloj dhune e dytë që u bëhet grave.

Ajo që Ngjela nuk kupton është se trupi mund të ketë reagime fiziologjike gjatë një akti të padëshiruar, por këto reagime nuk janë kënaqësi, as pranim. Ato janë thjesht reagime biologjike të një trupi që përpiqet “të mbijetojë”. Dhe të barazosh një reagim fizik me një ndjenjë kënaqësie është një gabim trashanik.

A mund të ndalemi një moment?

Çfarë po thua, zoti Ngjela? Se një viktimë përdhunimi mund të ndjejë kënaqësi gjatë një akti dhune? Dhe pastaj, me logjikën tënde, ajo qenka e pafalshme sepse shkon dhe denoncon?

Nëse nuk e ke kuptuar ende: viktimat nuk denoncojnë sepse nuk kanë ditur të bëjnë dallimin mes “kënaqësisë” dhe dhunës.”

Në vend që të flasë për çështje që kanë nevojë për një trajtim serioz, Spartak Ngjela përfundon sërish në rolin që i shkon më shumë: atë të një memexhiu të pavetëdijshëm.

Sepse, zoti Ngjela, të lidhësh fjalë bashkë për të tingëlluar i mençur, nuk të bën as të mençur, as të drejtë (as ty Ilnisa, por këtë po e lëmë për herë tjetër). Përkundrazi, sa më shumë flet, aq më shumë tregon që as kupton thelbin e asaj që po thua.

Liri apo vetmi?

E meqë ra fjala te “vullneti” dhe “liria”:

Në një intervistë, pyetur se pse nuk është martuar, Ngjela u përgjigj:

“Kam zgjedhur të jem i lirë”.

Ah, po, liri e vërtetë, apo jo?

Në fakt, ajo që duket është një vetmi, jo nga zgjedhja, por nga pamundësia për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme me të tjerët - sidomos me gratë.

Ky artikull është një qëndrim personal, shkruar nga Juliana Zguro, redaktore kontribuese në Anabel Media.

Artikuj të sugjeruar: