
Izraeli dhe Hamasi arrijnë marrëveshje armëpushimi
Izraeli dhe Hamasi kanë arritur një marrëveshje që mund të ndalojë luftën në Gaza dhe të mundësojë lirimin e pengjeve izraelitë dhe të të burgosurve palestinezë, kanë thënë SHBA dhe ndërmjetësuesit në Katar.
Kjo do të ishte lëvizja më e shumëpritur në 15 muaj luftë, e cila filloi kur grupi palestinez i armatosur Hamas sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023.
Detajet e marrëveshjes, të cilat thuhet se janë miratuar nga të dy palët, ende nuk janë shpallur.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ende ka disa klauzola të pazgjidhura, për të cilat shpresonte se do të finalizoheshin mbrëmjen e mërkurë.
Hamas ka marrë 251 pengje kur sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023. Ai ende mban 94 të burgosur, megjithatë Izraeli beson se vetëm 60 prej tyre janë ende të gjallë.
Biden mban fjalimin e lamtumirës
Presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden pretendoi se një oligarki “e rrezikshme” po formohej në Amerikë, teksa ai mbajti fjalimin e tij të lamtumirës duke i dhënë fund karrierës në politikë.
“Sot, një oligarki po merr formë në Amerikë me pasuri, fuqi dhe ndikim ekstrem që kërcënon me të vërtetë gjithë demokracinë tonë, të drejtat dhe lirinë tonë themelore,” tha ai të mërkurën.
Duke folur nga Zyra Ovale, ai promovoi të dhënat e administratës së tij, duke iu referuar krijimit të vendeve të punës, shpenzimeve të infrastrukturës, kujdesit shëndetësor, duke e nxjerrë vendin nga pandemia dhe duke e bërë SHBA-në një vend më të sigurt.
Ai shtoi, megjithatë, se “do të duhet kohë për të ndjerë ndikimin e plotë të gjithçkaje që kemi bërë së bashku, por farat janë mbjellë, ato do të rriten dhe do të lulëzojnë për dekadat e ardhshme”.
Biden i uroi sukses të administratës së ardhshme të Donald Trump.
Situata e zjarreve në Los Angeles
Zjarrfikësit po luftonin me dy vatra masive zjarri të mërkurën, ndërsa banorët e Qarkut të Los Angeles qëndronin vigjilentë për një raund tjetër të erërave të Santa Ana që përhapën flakët e një katastrofe që po zhvillohej nëpër komunitet.
Erërat ishin më të dobëta se sa pritej të martën, dhe ekipet e zjarrfikësve bënë përparim në kontrollimin e flakëve vdekjeprurëse. Zyra e Shërbimit Kombëtar të Motit në Los Angeles tha se erërat kishin filluar të qetësoheshin.
Megjithatë, Shefja e Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angeles, Kristin Crowley, tha se banorët që donin të ktheheshin në zonat e evakuuara duhet të tregohen të durueshëm.
“Ne e kuptojmë dëshirën tuaj për t’u kthyer në shtëpitë tuaja,” tha Crowley në një konferencë për shtyp të mërkurën.
“Megjithatë, mbeten probleme të rëndësishme sigurie dhe infrastrukture, përfshirë linjat e energjisë të rëna, tubacionet e gazit, materiale të rrezikshme, ujë i pasigurt.”
Të paktën 25 persona kanë humbur jetën në zjarr. Rreth 82,400 banorë të qarkut mbeten nën urdhra të detyrueshme evakuimi dhe 90,400 të tjerë janë nën paralajmërime evakuimi, tha Sherifi i Qarkut të Los Angeles, Robert Luna, të mërkurën.
Rusia sulmon Kievin me raketa balistike
Forca ajrore e Ukrainës deklaroi se Rusia goditi pjesën perëndimore të vendit me 43 raketa kruz dhe balistike, si dhe 74 dronë.
Autoritetet ruse e konfirmuan sulmin, duke thënë se ai ishte një përgjigje ndaj sulmit ajror të Kievit mbi fabrikat e ushtrisë ruse dhe qendrat energjetike me raketa ATACMS nga SHBA dhe raketa Storm Shadow të prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dënoi sulmet e fundit ruse ndaj sektorit të energjisë të vendit, duke kërkuar më shumë ndihmë sigurie nga aleatët e huaj dhe që Kievi të lejohet të përdorë gati 250 miliardë dollarë nga asetet ruse të sekuestruara për të blerë armë.
Guvernatori i rajonit të Rusisë, Alexander Gusev, tha se mbetjet që ranë nga dronët ukrainas të shkatërruar shkaktuan një zjarr në një depo nafte në jug të Rusisë. Nuk u raportuan viktima.