Nëse ke menduar ndonjëherë që të qenit single është një luks, nuk je i/e vetmi/ja. Sot, martesa duket se nuk lidhet më vetëm me dashurinë apo romancën, por edhe me nevojën për stabilitet financiar dhe emocional. Kjo ide ka çuar në rikthimin e konceptit të “martesave livandë”, por me një përkufizim të ri që reflekton kohët moderne.
Historikisht, termi “martesë livandë” i referohej një bashkimi heteroseksual midis një burri dhe një gruaje ku njëri ose të dy ishin pjesë e komunitetit LGBTQIA+. Këtu martesa përdorej si mbulesë për të fshehur identitetin seksual në kohë kur të qenit pjesë e këtij komuniteti ishte e rrezikshme dhe shpesh shoqërohej me përjashtim shoqëror apo dhunë.
Sot, kjo ide është transformuar. Në vend që të fshehë identitetin seksual, “martesat livandë” moderne përqendrohen më shumë në sigurinë ekonomike dhe mbështetjen reciproke. Rritja e inflacionit, kostot e larta të jetesës dhe vetmia e kohëve të sotme i kanë bërë këto marrëveshje më të pranueshme. Për shumëkënd, martesa si një “kontratë” për të ndarë kostot dhe për të gjetur një partner të sigurt për përballimin e jetesës ka filluar të tingëllojë si një zgjidhje praktike.
Por, ky përdorim i ri i konceptit ka ngjallur debate. Sociologët dhe historianët theksojnë se përdorimi i termit “martesë livandë” mund të injorojë historinë dhe dhimbjet e atyre që u detyruan të hynin në këto marrëveshje në kohët e vështira të shekullit të kaluar. “Këto martesa ishin shpesh një akt mbijetese në një botë që nuk pranonte identitetin ‘queer’,” thotë një sociolog.
E megjithatë, kjo praktikë e re e përshtatur me sfidat e sotme sociale dhe ekonomike është një reflektim i mënyrës sesi brezi i ri po gjen mënyra të reja për të jetuar. Martesa, që dikur konsiderohej një hap romantik, tani është kthyer në një strategji për mbijetesë në kohët moderne. Pyetja mbetet: A është kjo një mënyrë praktike për të përballuar botën, apo një shenjë se sa e vështirë është bërë jeta sot?
Artikuj të sugjeruar: