Ndarjet janë të dhimbshme, s’ka dyshim. Qoftë kur e ke marrë vetë iniciativën, kur të kanë lënë apo kur të dy keni rënë dakord, emocionet e forta janë të pashmangshme. Ndoshta ndihesh me faj, i/e refuzuar, apo thjesht i/e humbur. Dhe ndonjëherë, është e vështirë ta pranosh se marrëdhënia ka përfunduar.
Pavarësisht sa e vështirë mund të jetë, ka mënyra të shëndetshme për t’u përballur me ndarjen dhe për të ecur përpara. Ja çfarë duhet të dish:
Pse ndodhin ndarjet?
Marrëdhëniet përfundojnë për shumë arsye, që nga ato të jashtme, si zhvendosja apo ndryshimet në stilin e jetesës, deri te ato të brendshme, si mungesa e përputhshmërisë në prioritetet apo vlerat. Ndonjëherë, njerëzit thjesht rriten në drejtime të ndryshme, dhe kjo është normale.
Në disa raste, marrëdhënia mund të jetë e dëmshme për shëndetin mendor të njërit ose të të dyve. Këtu është thelbësore të njohësh kur diçka nuk funksionon dhe të marrësh guximin për ta përfunduar.
Ne të gjithë ndryshojmë me kalimin e kohës. Çfarë donim dje, mund të mos jetë ajo që duam sot. Kjo mund të përfshijë edhe ndryshime në pritshmëritë nga një marrëdhënie, dëshirat personale apo edhe mënyrën si e perceptojmë jetën tonë.
Komunikimi për ato që janë limite për ty është kryesor në çdo marrëdhënie. Nëse këto ndryshime bëhen të papërballueshme, është më mirë të largohesh sesa të humbasësh veten duke u përshtatur me diçka që s’të përfaqëson më.
Ndarjet pa arsye specifike
Po sikur të mos ketë një arsye konkrete? Dëshira për të përfunduar një marrëdhënie është arsye e mjaftueshme. Është e vështirë të pranosh humbjen e asaj që dikur ke dashur, por ndonjëherë, ky është hapi i parë drejt një versioni më të mirë të vetes.
Çfarë ndjen pas ndarjes?
Emocionet janë të përziera: trishtim, konfuzion, inat dhe ndonjëherë, çuditërisht, një ndjenjë lehtësimi. Ja disa gjendje që mund të përjetosh:
Ulje të vetëbesimit: Mos e mendo marrëdhënien si “të dështuar”. Çdo lidhje është një mësim dhe një pjesë e rritjes tënde personale.
Trishtim dhe depresion: Jepi vetes kohë të përballosh humbjen dhe kujto se të ndihesh keq është normale. Por nëse kjo gjendje përkeqësohet, kërko ndihmë nga një profesionist.
Frikë: Nëse ke dalë nga një marrëdhënie abuzive, frika është një reagim i zakonshëm. Vendos si prioritet sigurinë dhe kërko mbështetje nga miqtë, familja apo organizatat përkatëse.
Si të përballesh me një ndarje
S’ka rregulla universale, por ka disa hapa që mund të ndihmojnë:
Jepi kohë vetes për të qarë: Ndarjet janë si humbje. Do të kalosh faza si mohim, zemërim, trishtim dhe, më në fund, pranim. Lejoji vetes t’i përjetosh këto ndjenja.
Prano emocionet: Mos u ndjej fajtor për ndjenjat e tua, qofshin ato pozitive apo negative. Të ndihesh i lirë apo i çliruar është po aq normale sa të ndihesh i trishtuar.
Shmang kontaktin për një kohë: Jepi vetes hapësirën e nevojshme për të shëruar, pa rënë në grackën e zakoneve të vjetra me ish-in.
Krijo një rutinë të re: Shkëputja nga të përditshmet e përbashkëta me ish-partnerin mund të jetë sfiduese, por është e nevojshme për të ecur përpara.
Ç’do të thotë të lëvizësh përpara?
Pasi të pranosh fundin e një marrëdhënieje, fillon një kapitull i ri. Përfito nga koha për të reflektuar mbi mësimet e marra dhe për të eksploruar anët e tua që mund të ishin lënë pas dore.
Reflekto mbi marrëdhënien: Çfarë mësove për veten dhe çfarë do nga marrëdhëniet e ardhshme?
Ndërto një rutinë të re: Fokusohu në aktivitete dhe miqësi që të sjellin gëzim dhe përmbushje.
Hap zemrën për eksperienca të reja: Kur të jesh gati, jeta ka gjithmonë diçka të re për të të ofruar.
Ndarjet janë të dhimbshme, por shpesh janë dhe pika e kthesës drejt një jete më të mirë dhe një versioni më të fortë të vetes. Mos harro: çdo fund është një fillim i ri.
Artikuj të sugjeruar: