Mendja

Merremi pak me deklaratën e Eglit për Gertën: Ka lidhje inteligjenca me sëmundjet mendore?

Shkruar nga Anabel

22 Janar 2025

Merremi pak me deklaratën e Eglit për Gertën: Ka lidhje

Prime i ri, drama të vjetra reja! Në mesin e debateve që nuk merren vesh se si nisën, ra në sy përplasja Gerta - Egli dhe ndër të tjera, një deklaratë e kësaj të fundit.

“Unë dua t’i them dy fjalë kësaj zonje, që kur një njeri kalon atakun e panikut dhe është i aftë të menaxhojë atakun e panikut, se ti nuk e ke provuar dhe s’do e provosh kurrë me ato mend që ke, kur e provon dhe e kalon këtë gjë, ty të kam një mizë përballë. – u shpreh Egli para se të shndërrohej në Super Saiyan.

Le ta sqarojmë këtë deklaratë.

Bazuar te një studim i vitit 2018, njerëzit me IQ të lartë mund të jenë më të prirur ndaj reagimeve të trurit ose trupit. Me fjalë të tjera, të paturit një IQ më të lartë mund të ndikojë te funksionimi i sistemit nervor qendror, që ndër të tjera lidhet edhe me stresin e depresionin.

Shënim: IQ - Koeficienti i inteligjencës përcaktohet nga një grup testesh ose nëntestesh të standardizuara të krijuara për të vlerësuar inteligjencën e njeriut.

Por, një studim i vitit 2022 i botuar në European Psychiatry e ka hedhur poshtë teorinë se njerëzit me IQ  të lartë kanë më shumë çrregullime të shëndetit mendor. Studiuesit zbuluan se njerëzit me inteligjencë të lartë nuk kanë shkallë më të lartë të depresionit. Në fakt, ata kishin më pak ankth, stres post-traumatik, tendenca neurotike dhe trauma sesa ata me inteligjencë më të ulët.

Në një tjetër studim të vitit 2022 të botuar në National Library of Medicine, theksohet se individët me inteligjencë të lartë nuk kanë më shumë çrregullime të shëndetit mendor sesa popullata mesatare. Inteligjenca e lartë madje shfaqet si faktor mbrojtës për ankthin e përgjithshëm dhe stresin post-traumatik. Jo më kot studiuesit vënë në pah se inteligjenca është aftësia për të mësuar, arsyetuar dhe zgjidhur problemet, qofshin ato edhe probleme mendore.

Pra, sëmundjet e shëndetit mendor dhe inteligjenca nuk kanë lidhje shkak-pasojë. Dikush me IQ të ulët, mesatar ose të lartë mund të ketë depresion ose sëmundje të tjera, për shkak se ka shumë faktorë rreziku për çrregullimet mendore, duke përfshirë traumat, sëmundjet kronike, gjenet, stili i jetesës etj.

Tani jemi të qartë!