Me siguri të ka ndodhur të bësh llogari të komplikuara për t’i shpëtuar një situate të sikletshme: “Nëse përdor një tampon super, vesh të brendshme të rehatshme dhe zgjedh pantallona të zeza, a mund ta mbyll ditën pa ndonjë rrjedhje të pakëndshme?” Apo, “Si t’ia dal të gjej një tualet publik bosh për të shpëlarë kupën pa frikësuar përdorueset e tjera?”
Përzgjedhja e produkteve menstruale varet nga mënyra jote e jetesës dhe preferencat personale, por një rregull është universal: shmang produktet higjienike të aromatizuara. Ekspertët paralajmërojnë se aromat artificiale mund të shkaktojnë irritime të lëkurës së vulvës.
Duke qenë se ka një mori produktesh të reja në treg, është e rëndësishme të dish cilat janë përparësitë dhe disavantazhet e tyre. Ja disa udhëzime që mund të të ndihmojnë të zgjedhësh atë që i përshtatet më shumë trupit dhe nevojave të tua.
Pecetat menstruale
Pecetat menstruale janë zakonisht produkti i parë që përdorin vajzat në fillim të ciklit të tyre. Ato janë të thjeshta për t’u përdorur. Megjithatë, pecetat kanë disa të meta.
Së pari, ato kanë ndikimin më të lartë në mjedis, pasi përbëhen rreth 90% nga plastika. Së dyti, disa gra i konsiderojnë të pakëndshme dhe të vështira për t’u mbajtur, veçanërisht gjatë aktiviteteve fizike. Gjithashtu, mund të shkaktojnë irritim të lëkurës së vulvës për shkak të fërkimit.
Avantazhet dhe disavantazhet e tamponeve
Tamponët janë të sigurt për shumicën e njerëzve, por disa i konsiderojnë të pakëndshëm ose të vështirë për t’u vendosur. Tamponët mund të shkaktojnë tharje ose irritim vaginal, sidomos nëse nuk ndërrohen shpesh.
Një tjetër shqetësim është sindroma e shokut toksik (TSS), një infeksion bakterial i rrallë që mund të ndodhë kur tamponi lihet më gjatë se tetë orë. Megjithatë, raste të tilla janë shumë të rralla falë përmirësimit të produkteve dhe ndërgjegjësimit të njerëzve për rregullat e përdorimit.
Një mit tjetër është se tamponi mund të ngecë në trup. Mjekët shpjegojnë se kjo është e pamundur, pasi vagina ka një fund, dhe tamponi mund të nxirret gjithmonë me një gisht ose me ndihmën e një mjeku, nëse është e nevojshme.
Kupat menstruale
Kupat menstruale janë pajisje të ripërdorshme, zakonisht prej silikoni mjekësor, që vendosen në vaginë për të mbledhur gjakun menstrual. Ato mund të përdoren deri në 12 orë pa ndërprerje, duke ofruar një alternativë më ekonomike dhe ekologjike.
Megjithatë, përdorimi i tyre kërkon praktikë. Kupa duhet vendosur saktë për të shmangur rrjedhjet, dhe disa gra mund të ndihen të parehatshme me idenë e futjes së saj në vaginë. Gjithashtu, kupa duhet pastruar me kujdes dhe të sterilizohet një herë në muaj, gjë që mund të jetë sfiduese në ambiente me pak privatësi.
Artikuj të sugjeruar: