Marredhenie

Kur mikesha jote është pasive-agresive: 4 shenja që s’duhet t’i injorosh

Shkruar nga Anabel

29 Janar 2025

Kur mikesha jote është pasive-agresive: 4 shenja që s’duhet

Një moment po shijoni bisedat plot të qeshura, tjetrin po merrni përgjigje të ftohta me mesazhe të shkurtra. Ajo “harroi” të të ftonte në ditëlindjen e saj ose për çudi, çdo herë që ndan një lajm të mirë, toni i saj ndryshon dhe entuziazmi i saj është… zero.


Nëse e ke gjetur veten në këtë situatë, ndoshta po përballesh me një mikeshë pasive-agresive. Kjo sjellje mund ta bëjë miqësinë konfuze, sepse ndryshe nga një konflikt i hapur, ajo fsheh tensionin pas komenteve “pa të keq” dhe veprimeve të dyshimta. Ja si ta dallosh dhe çfarë mund të bësh.


Çfarë është sjellja pasive-agresive?


Në terma të thjeshtë, sjellja pasive-agresive është një formë e fshehtë e armiqësisë, ku personi shmang komunikimin e hapur dhe zgjedh mënyra indirekte për të shprehur zemërimin ose pakënaqësinë. Kjo përfshin komente ironike, heshtje të qëllimshme dhe sabotim të fshehtë të marrëdhënies.


Psikologia Brook Choulet e përshkruan këtë përvojë si ndjenjën e boshllëkut pas një bisede me një person pasiv-agresiv. Në vend që të ndihesh mirë, ndihesh i lodhur dhe i zbrazur emocionalisht.


4 shenjat që tregojnë se ajo është pasive-agresive


1. Komunikim i paqëndrueshëm


Nëse një ditë të fton të dalësh dhe ditën tjetër të injoron pa asnjë shpjegim, kjo është një shenjë klasike e pasiv-agresivitetit. Ajo mund të pranojë ftesën për një event, por të vijë jashtëzakonisht vonë ose të harrojë “rastësisht” të të dërgojë adresën.


Kjo është një mënyrë e fshehtë për të treguar pakënaqësi pa e thënë hapur, duke të bërë të ndihesh i lënë jashtë pa kuptuar arsyen e vërtetë.


2. Shkon me rrymën, por nuk është aspak dakord


Një mikesh pasive-agresive mund të pranojë idetë e tua në dukje, por sjellja e saj tregon krejt të kundërtën. Mund të thotë se nuk ka problem që ju të shikoni një serial në vend që të dilni, por më pas të rrijë në heshtje, të përgjigjet me fjalë të shkurtra dhe të japë ndonjë koment ironik në mes të episodit.


3. Batuta të hidhura të mbështjella si shaka


Nëse një mikeshe të komplimenton për fustanin, por shton: “Unë s’do kisha guxuar kurrë ta vishja në trupin tim,” është e qartë që ky nuk është një kompliment i sinqertë. Komentet e tilla janë një formë e “armiqësisë së maskuar”, ku kritikat fshihen pas buzëqeshjeve.


4. Shprehje fytyre që tregojnë më shumë se fjalët


Ndonjëherë, nuk është fjala apo batuta ajo që të bën të dyshosh, por thjesht mënyra si të shikon. Ajo buzëqesh, por buzëqeshja e saj duket e shtirur. Entuziazmi mungon, dhe kur ti flet për sukseset e tua, shprehja e saj e fytyrës duket më shumë si bezdi sesa gëzim për ty.


Si ta dallosh pasiv-agresivitetin nga keqkuptimi?


Dallimi kryesor mes pasiv-agresivitetit dhe një keqkuptimi është qëllimi pas sjelljes. Keqkuptimi ndodh aksidentalisht, ndërsa pasiv-agresiviteti është zakonisht i qëllimshëm, edhe nëse personi nuk e kupton që po e bën.


Nëse nuk je i sigurt nëse ajo po sillet qëllimisht kështu, pyete veten:
• A ka ndonjë qëllim të fshehur pas sjelljes së saj?
• A është kjo një sjellje e përsëritur apo një rast i izoluar?
• Si ndihem unë pas ndërveprimit me të? A më bën të ndihem keq pa ndonjë arsye të qartë?


Si të përballesh me një mike pasive-agresive?


Nëse kjo miqësi është e rëndësishme për ty, mund t'ja vlejë të përballesh me këtë situatë në një mënyrë konstruktive. Këto janë disa hapa që mund të ndihmojnë:

Përdor deklarata “unë” – Në vend që ta akuzosh, fol për mënyrën si të bën të ndihesh. Për shembull: “Më duket sikur diçka nuk shkon mes nesh, sepse kam vënë re që shpesh më injoron kur flas. A ka ndonjë gjë që të shqetëson?”

Kupto rrënjën e problemit – Ndonjëherë, njerëzit sillen në këtë mënyrë sepse po kalojnë një periudhë të vështirë. Përpiqu të kuptosh nëse ka diçka që po e streson dhe që po e reflekton në sjelljen ndaj teje.

Mos e kthe në lojë hakmarrjeje – Nëse ajo të injoron, nuk ka nevojë të bësh të njëjtën gjë. Mbaj një qëndrim të qetë dhe të hapur.

Konsidero shkëputjen – Nëse përpjekjet e tua nuk sjellin ndryshim dhe ajo nuk është e gatshme të komunikojë hapur, ndoshta është koha të largohesh nga kjo marrëdhënie toksike.

Burime: VeryWell Mind

Artikuj të sugjeruar: