Trump: Shtëpia e Bardhë ka zhvilluar bisedime “serioze” me Rusinë për luftën në Ukrainë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij ka pasur bisedime “shumë serioze” me Rusinë në lidhje me luftën në Ukrainë dhe se ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin, mund të ndërmarrin së shpejti hapa të rëndësishëm për t’i dhënë fund konfliktit gati trevjeçar.
“Do të flasim dhe mendoj se ndoshta do të bëjmë diçka që do të jetë e rëndësishme,” u shpreh Trump për gazetarët në Zyrën Ovale.
“Ne duam t’i japim fund kësaj lufte. Ajo nuk do të kishte nisur nëse unë do të isha president,” shtoi ai.
Trump nuk dha detaje se kush nga administrata e tij ka qenë në kontakt me rusët, por këmbënguli se të dyja palët “kanë filluar tashmë bisedimet.”
Studentët serbë përfundojnë marshimin dyditor drejt Novi Sadit mes protestave kundër Vucic
Qindra studentë në Serbi, të cilët po protestojnë kundër korrupsionit që ata fajësojnë për vdekjen e 15 personave nga shembja e një mbulese betoni, përfunduan një marshim dyditor drejt Novi Sadit, ku planifikojnë të bllokojnë tre ura mbi lumin Danub.
Ata u pritën nga studentë të tjerë dhe mijëra banorë vendas pasi përshkuan në këmbë një rrugë prej 80 kilometrash nga kryeqyteti, Beogradi.
“Ndjehem shumë i lumtur, krenar për të gjithë këta njerëz nga Beogradi që ecën dy ditë për të ardhur këtu. Nuk është e lehtë. Çalojnë, kanë flluska në këmbë, ndihen të lodhur. Jam krenar për Novi Sadin tim që i priti,” tha studenti Dung Grabos.
Bllokimi i urave, i planifikuar për të shtunën, do të shënojë tre muaj nga shembja e mbulesës së madhe prej betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, ku humbën jetën 15 persona.
Rrëzohet një avion mjekësor në Philadelphia, numri i viktimave i paqartë
Një avion mjekësor me një pacient fëmijë dhe pesë persona të tjerë në bord u rrëzua në Philadelphia pak pas ngritjes, duke shpërthyer në flakë dhe duke përfshirë disa shtëpi përreth.
Kompania “Jet Rescue Air Ambulance” konfirmoi se në bord ndodheshin pacienti, një pasagjer tjetër dhe katër anëtarë të ekuipazhit.
“Nuk mund të konfirmojmë nëse ka të mbijetuar,” tha kompania në një deklaratë.
“Shqetësimi ynë i menjëhershëm është për familjen e pacientit, personelin tonë, familjet e tyre dhe viktimat e tjera që mund të jenë lënduar në tokë.”
Franca miraton projekt-buxhetin pas një marrëveshjeje mes ligjvënësve
Ligjvënësit francezë arritën një marrëveshje kompromisi të premten në Paris për buxhetin e këtij viti, i cili ka qenë i vonuar prej kohësh.
Paneli negociator, i përbërë nga shtatë deputetë dhe shtatë senatorë, përfshinte kryesisht mbështetësit e kryeministrit François Bayrou dhe nuk mori parasysh votat e përfaqësuesve të së majtës dhe të ekstremit të djathtë.
Megjithatë, përfaqësuesit e Partisë Socialiste deklaruan se arritën disa “fitore” gjatë negociatave, duke përfshirë premtimin për të mos shkurtuar 4,000 vende pune në arsimin publik dhe shtimin e fondeve për spitalet publike.
“Buxheti nuk është i yni, kështu që e vetmja gjë që mundëm të bëjmë, siç kemi bërë prej muajsh, është të shmangim një pjesë të vuajtjeve për popullin francez,” deklaroi për gazetarët Boris Vallaud, presidenti i socialistëve në Asamblenë Kombëtare.