Takimi me Trump, Kryeministri izraelit niset drejt Shtëpisë së Bardhë
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përgatit të largohej nga Izraeli të dielën për një takim me presidentin amerikan Donald Trump, duke kërkuar të forcojë lidhjet me Uashingtonin pas tensioneve me administratën e mëparshme të Shtëpisë së Bardhë për luftën në Gaza.
Netanyahu, lideri i parë i huaj që viziton Trumpin që nga inaugurimi i tij muajin e kaluar, niset drejt SHBA-së me armëpushimin në Gaza që është ende në fuqi dhe negociatat që synojnë një fazë të dytë që pritet të fillojë këtë javë.
Netanyahu, i cili përballet me një urdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për akuzat për krime lufte në Gaza, kishte marrëdhënie të tensionuara me paraardhësin e Trump, Joe Biden dhe nuk e ka vizituar Shtëpinë e Bardhë që nga kthimi në detyrë në fund të vitit 2022.
Ministrat e Jashtëm arabë kundërshtojnë propozimin e Trump për zhvendosjen e palestinezëve
Ministrat e Jashtëm arabë kundërshtuan dje, 1 shkurt 2025, transferimin e palestinezëve nga territoret e tyre, duke paraqitur një qëndrim të unifikuar kundër Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, i cili sugjeroi që Egjipti dhe Jordania të pranojnë banorë nga Rripi i Gazës.
Në një deklaratë të përbashkët pas një takimi në Kajro, ministrat e Jashtëm dhe zyrtarët nga Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Autoriteti Palestinez dhe Liga Arabe thanë se një veprim i tillë do të kërcënonte stabilitetin në rajon, do të përhapte konfliktin dhe do të minonte perspektivat për paqe.
“Ne riafirmojmë refuzimin tonë të çdo përpjekjeje për të rrezikuar të drejtat e patjetërsueshme të popullit palestinez, qoftë nëpërmjet dëbimeve apo aneksimit të tokave apo përmes braktisjes së territoreve nga pronarët e tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët, raporton Reuters.
Në tekst, nënshkruesit theksojnë gjithashtu se mezi presin të punojnë me administratën Trump me synimin për të arritur një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme, bazuar në zgjidhjen me dy shtete.
Kanadaja njofton tarifa “hakmarrëse” prej 25% për mallrat amerikane
Kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi tarifa “hakmarrëse” prej 25% për mallrat amerikane, disa orë pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për tarifa të larta për shumicën e mallrave kanadeze.
"Unë po njoftoj se Kanadaja do t'i përgjigjet veprimit tregtar të SHBA me tarifa tregtare 25% kundrejt mallrave amerikane me vlerë 155 miliardë dollarë," tha udhëheqësi kanadez në një konferencë shtypi të shtunën mbrëma.
Trudeau tha se "tarifat për mallrat me vlerë 30 miliardë dollarë" do të hyjnë në fuqi të martën, të ndjekura nga tarifa më të gjera në 21 ditë "për të lejuar kompanitë kanadeze dhe zinxhirët e furnizimit të kërkojnë të gjejnë alternativa".
Trudeau shtoi se tarifat “do të përfshijnë artikuj të përditshëm”, si alkooli, frutat, perimet, rrobat dhe këpucët.
Si pjesë e përgjigjes kanadeze ndaj tarifave të SHBA-së, Trudeau tha gjithashtu se shtetet dhe territoret po shqyrtojnë "disa masa jo tarifore". Ato mund të përfshijnë kufizime “në lidhje me mineralet kritike, prokurimin e energjisë dhe partneritete të tjera”.
“Ne do të qëndrojmë të fortë për Kanadanë. Ne do të qëndrojmë të fortë për të siguruar që vendet tona të vazhdojnë të jenë fqinjët më të mirë në botë”, tha Trudeau.
Ish-presidenti gjerman, Horst Keller, ndërron jetë në moshën 81-vjeçare
Ish-presidenti gjerman Horst Keller ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, njoftoi Zyra e Presidentit Federal në Berlin.
Keller u zgjodh kreu i shtetit më 23 maj 2004 dhe u konfirmua në detyrë pesë vjet më vonë. Megjithatë, më 31 maj 2010, ai dha dorëheqjen e papritur.
Në një letër ngushëllimi drejtuar Eva Louise Keller, presidenti gjerman Frank-Ëalter Steinmeier e vlerësoi të ndjerin si "një bekim për vendin ". Ai theksoi:
"Ne mund të jemi thellësisht mirënjohës që mundëm të përjetonim Horst Keller si presidentin e nëntë federal të Republikës Federale të Gjermanisë. Ai i dha shumë këtij vendi."
Keller ishte personi i parë që mbajti postin më të lartë shtetëror në Gjermani, i cili nuk ishte politikan partiak. Ekonomisti i diplomuar në ekonomi e filloi karrierën e tij në vitin 1976 në Ministrinë e Ekonomisë Gjermane dhe pas posteve të ndryshme u bë Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Financave në vitin 1990, e cila më pas drejtohej nga Theo Weigel (CSU).