Zyrtarët amerikanë do të vizitojnë Evropën këtë javë për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë
Këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump, Mike Waltz, ka thënë se anëtarët e lartë të administratës do të takohen me zyrtarë evropianë këtë javë për të diskutuar se si t'i japin fund luftës në Ukrainë.
Takimi vjen pothuajse tre vjet pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë ndaj Ukrainës në vitin 2022.
Një ditë para këtij njoftimi, mediat amerikane raportuan se Trump zhvilloi një telefonatë me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar hapat drejt një zgjidhjeje të negociuar.
Izraeli tërhiqet nga korridori kryesor i Gazës si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit
Forcat izraelite u tërhoqën nga korridori Netzarim të dielën, thanë zyrtarët izraelitë dhe Hamasi.
Tronditja e izraelitëve nga pamja e tre pengjeve të dobësuar të liruar të shtunën ka shtuar presionin ndaj kryeministrit, Benjamin Netanyahu, për të zgjatur armëpushimin në vend që t'i kthehet luftimeve teksa faza e parë do të përfundojë në fillim të marsit.
Izraeli dhe Hamasi duket se kanë bërë pak përparim në negocimin e fazës së dytë të marrëveshjes, e cila gjithashtu synon të lirojë më shumë pengje. Bisedimet duhej të fillonin më 3 shkurt.
Franca njofton 109 miliardë euro investime në inteligjencën artificiale
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi mbrëmjen e sotme 109 miliardë euro investime në Inteligjencën Artificiale. Investimet do të bëhen përgjatë viteve të ardhshme.
Macron e bëri të ditur lajmin në prag të samitit ndërkombëtar për Inteligjencën Artificiale që fillon nesër në Paris.
Në mesin e janarit, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi 500 miliardë dollarë investime në Inteligjencën Artificiale si pjesë e projektit “Stargate”.
Zgjedhjet në Kosovë, kryeson Vetëvendosja e Albin Kurtit
Numërimi i votave vijon ende në Kosovë, teksa deri më tani janë numëruar 88.04% e vendvotimeve. Sipas KQZ në Kosovë, deri në këtë fazë kryeson Albin Kurti.
Kryeson Vetëvendosja me 41,29%, ose 306556 të votave, e ndjekur nga PDK me 21,83%, ose 162033 të votave, LDK me 17,75%, ose 131798 vota, AAK/NISMA me 7,68%, ose 56994 vota, Lista për Familjen me 2,31%, ose 17174 vota. Kurse SRPSKA LISTA ka marrë 3.96 %, ose 29406 vota.