Trump thotë se armëpushimi duhet të anulohet nëse Hamasi nuk liron pengjet deri të shtunën
Presidenti i SHBA Donald Trump tha të hënën se marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit duhet të anulohet nëse Hamasi nuk liron të gjithë pengjet e mbetura që mban në Gaza deri të shtunën – megjithëse ai gjithashtu pranoi se një vendim i tillë do të varet nga Izraeli.
"Nëse pengjet nuk do të kthehen, ferri do të shpërthejë" tha ai.
Hamasi akuzoi Izraelin se nuk e shtyu përfundimin e marrëveshjes duke mos lejuar palestinezët të kthehen në Gazën veriore, duke kryer sulme në të gjithë territorin dhe duke dështuar në lehtësimin e hyrjes së ndihmave humanitare.
Sulm me thikë në Irlandë, 4 të plagosur
Policia irlandeze ka arrestuar një person në zonën Stoneybatter të Dublinit pas një sulmi me thikë, ku dyshohet se janë plagosur të paktën katër persona, sipas mediave vendase.
Në një deklaratë zyrtare, policia konfirmoi arrestimin e një të dyshuari, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim. Autoritetet theksuan se situata është nën kontroll dhe nuk ka më rrezik për qytetarët.
Sipas Irish Times, nuk ka indikacione që sulmi të ketë lidhje me terrorizmin. Një dëshmitar i ngjarjes ka treguar se i dyshuari “bërtiste duke kërkuar që ta linin të qetë” dhe dukej i frikësuar.
Në det të hapur, qindra emigrantë u shpëtuan në brigjet e Ishujve Kanarie
Qindra emigrantë u shpëtuan në brigjet e ishujve Kanarie të hënën.
Shumica e 389 emigrantëve ishin burra, por kishte edhe 46 gra dhe pesë të mitur sipas autoriteteve lokale.
Pesë nga varkat e shpëtuara ishin nisur për në Lanzarote, ndërsa dy drejt ishullit El Hierro.
Shërbimet e urgjencës thanë se emigrantët u transportuan në portet spanjolle të Los Cristianos pasi u shpëtuan nga ekuipazhet detare dhe ajrore.
Zgjedhjet në Kosovë, si do të formohet qeveria
Rezultatet preliminare për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë krijojnë paqartësi për përbërjen e re në Kuvend, por edhe të ekzekutivit të ri, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.
Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më së shumti vota.
Duke iu referuar rezultateve preliminare, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të dielën vonë ka deklaruar se “edhe sikur të bëhen bashkë PDK-ja dhe LDK-ja, ato nuk bëhen sa Vetëvendosja”.
Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë të qeverisë me partitë Guxo dhe Alternativa, të cilat garuan brenda listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan REL.
Partia Demokratike e Kosovës ka gjasa të pozicionohet si forca e dytë politike pas zgjedhjeve.