Gëzuar 2 muaj Big Brother që vetëm gëzim nuk na transmetoi mbrëmë!! Detajet e hidhërimit i gjeni poshtë, si ngaherë të renditura kronologjikisht:
#1. Vserlo kundër gjithë shtëpisë
Hyrja e re Vserlo, nuk ka kaluar pa bërë zhurmë në shtëpi. Kjo për mënyrën e ngjashme të lojës së tij me atë të Gjestit, pra “ngucjet” e shumta ndaj banorëve të tjerë. Mirëpo, në ndryshim nga Gjesti, banorëve të tjerë duket se u kishte ardhur në majë të hundës kjo lloj sjelljeje, duke nisur me Gjestin të parin (ironike), Rozanën që i kishte bërë ofendimin e madh të vendosjes së dorës në pjatën e saj dhe Tirin që diskutonte ende a e njihte, sa e njihte dhe si e njihte që jashtë këtë banor.
#2. Debati Gerta – Valbona
Këto ditët e fundit ra fare kilja e moralit në “BBVIP”. Nëse s’ke parë ç’është bërë, Valbona, e prekur në moral nga Gerta, fillon t’ia kthejë në të njëjtën monedhë duke i thënë 1001 për jetën e saj “të shthurur” jashtë. Qofshin të vërteta apo jo, këto s’kanë rëndësi dhe siç thanë dhe opinionistët, Valbona po përpiqet të ruajë vendin e saj në kolltuk edhe për pak, por ka gjetur mënyrën më vulgare për ta bërë.
#3. Debati Gerta – Rozana
Si dhe më sipër, gocat e Big-ut e kanë vendosur të banalizojnë fare çdo diskutim brenda shtëpisë. Një herë desh dolën mike nga jashtë Rozana me Gertën dhe e paskan vendosur bashkë që të shkojnë deri në finale, një herë u përmendën prapë ilaçe që Rozana tha se i kishte për shtatzëninë dhe befas debati përfundoi në akuzat e Gertës se Rozana ishte xheloze për burrin e saj.
Shpresojmë që ky të jetë efekti i izolimit të gjatë, sepse nëse u duket mënyrë e bukur kjo për të marrë vëmendje, vetëm sa po u bëjnë dëm vetes.
#3. Shtëpia kundër Loredanës
Nominimi i gjithë vajzave lëvizi shumë veta dhe veçanërisht Loredanën, mirëpo kjo përfundoi në gjithë shtëpinë duke iu vërsulur. Si fillim Krisa me Tirin sepse Loredana pretendonte se Tiri kishte flirtuar me të, më së shumti jashtë shtëpisë sesa aty.
Më pas, ishte Rozana ajo që tha se Loredana ishte shumë e pavërtetë dhe filluan t’i kujtonin Lorit faktin që s’kishte folur sa duhej kur brenda shtëpisë ishte dhe Jozi. E njëjta gjë dhe nga Livia, e cila më shumë dukej se i trembej largimit të vet, ndaj dhe duhej të lobonte fort kundër Loredanës.
#4. Largohet Krisa
Veprimi i Krisës të shtunën, me televotimin e vajzave, ishte siç thamë, një vetësakrifikim për dashurinë, sepse dje u largua ajo nga publiku. U duk se i erdhi e papritur sepse mesa duket vajzat brenda menduan se do të ishte po Loredana që nuk do të preferohej jashtë, por ja që nuk qenka kështu.
Të shohim nëse largimi i saj do t’i japë forcë Tirit, do bjerë edhe më në qetësi, apo s’do ndryshojë asgjë se nuk ndryshon njeriu tak-fak. Një nga këto tre mundësi është. :)
#5. Dalin në televotim dy veta nga opinionistët
Me një formulë të re për Big-un tonë, u jepej mundësia opinionistëve të zgjidhnin një banor për ta nxjerrë në televotim përballë tjetrit, për secilin kolltuk. Arbri zgjodhi Loredanën, pasi i pëlqente në nominim (dhe pse e mbrojti për shpartallimin që i bënë të gjithë si shtëpi ditët e fundit) dhe Neda zgjodhi Livian, që qartësisht u vu menjëherë në siklet prej zgjedhjes sepse mendoi se sapo ia hodhi paq televotimit të mëparshëm. Deri të shtunën, njëra nga vajzat po pret me padurim të shpëtohet nga publiku.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.