Mendja

50 vjeç?! Gazetarja i shtangu të gjithë me pamjen e saj

Shkruar nga Anabel

24 Shkurt 2025

50 vjeç?! Gazetarja i shtangu të gjithë me pamjen e saj

“50 vjeç?! S’ka shans!” Kështu reaguan të gjithë kur gazetarja e shëndetit Doreada Mio u shfaq në rubrikën “Të panjohurit” te “E Diela Shqiptare” dhe zbuloi moshën e saj. Pamja rinore, energjia dhe eleganca nuk mund të mos viheshin re. Po cili është sekreti i saj? A ka një formulë magjike apo thjesht një mënyrë ndryshe të jetuari? Në një intervistë për Anabel.al, Doreada na tregon gjithçka - nga rutina e përditshme, te filozofia e saj për jetën dhe bukurinë. Një gjë është e sigurt: rinia e vërtetë nuk matet me vite!

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Doreada Mio (@mdoreada)

Gjatë daljes tuaj te “E diela shqiptare”, shumë njerëz u habitën me moshën sepse realisht dukesh shumë e re! Si ndihesh kur dëgjon komplimente të tilla?

Faleminderit për komplimentin! Në fakt, ndihem mirë dhe më gëzon kur më thonë që dukem më e re se mosha ime. Megjithatë, realisht nuk më bën të njëjtën përshtypje si dikur. Më parë mendoja se isha me shumë fat që Zoti më kishte dhënë këtë pamje, por tani e kuptoj se pamja nuk është as merita jonë dhe as faji ynë.

Me kalimin e viteve, njeriu evoluon dhe ndryshon. Vit pas viti, kam kuptuar se bukuria nuk është thjesht një pamje - është një energji, një dritë e brendshme që reflekton mënyrën si mendojmë dhe filozofinë që kemi për jetën.

Më pëlqen të përmend një thënie që më ka frymëzuar: “Natyra të jep fytyrën që ke në të njëzetat. Është në dorën tënde se çfarë fytyre do të meritosh të kesh në të pesëdhjetat.” Dhe mua më pëlqen gruaja që shoh në pasqyrë çdo mëngjes.

50 vjeç?! Gazetarja i shtangu të gjithë me pamjen e saj

A të ndodh shpesh që njerëzit nuk e besojnë moshën tënde?

Po, në fakt, shpesh! Dhe gjithmonë buzëqesh kur ndodh. Unë nuk jetoj sipas pritshmërive të moshës. Jam një natyrë shumë kurioze, plot pasion dhe e etur për të zbuluar e mësuar gjëra të reja.

Gjithashtu, besoj se edukata, buzëqeshja, mënyra e qëndrimit dhe eleganca në vetvete janë ato që e bëjnë një grua të mos ketë moshë.

Ke ndonjë sekret apo rutinë të veçantë që mendon se të ka ndihmuar të dukesh kaq e re?

Unë jam përpjekur shumë të ruaj “fëmijën brenda meje”. Ju kujtohet motoja e Piter Panit? “Mos u rrit. Është një kurth.”

Të ruash fëmijën brenda vetes, për mua, do të thotë të besosh, të mos heqësh dorë nga dëshira për të ëndërruar, për t’u mahnitur, për të qeshur me gjithë shpirt dhe për të jetuar me spontanitet. E gjitha kjo arrihet kur ti mund frikën.

“Jeta fillon aty ku merr fund frika.” – thotë Osho.

50 vjeç?! Gazetarja i shtangu të gjithë me pamjen e saj

Sa rol luan ushqimi në pamjen tënde? Ke ndonjë dietë apo mënyrë të veçantë të të ushqyerit?

Unë e shijoj ushqimin! Nuk besoj te dietat strikte, por besoj te ekuilibri. Ha pak në sasi, por shpesh. Thuhet që: “Njerëzit që duan ushqimin janë njerëzit më të mirë.”

Besoj se ushqimi i bën mirë jo vetëm trupit, por edhe shpirtit. Më pëlqen të bëj pazar vetë, të zgjedh produktet ushqimore, frutat dhe perimet. Një nga pasionet e mia është gatimi.

Sa i rëndësishëm është për ty aktiviteti fizik? Çfarë lloj stërvitjeje bën?

Për mua, lëvizja është jetë. Jam një natyrë shumë sportive. Nuk përdor makinë dhe të ecurit në këmbë më jep shumë kënaqësi - nuk më lodh aspak.

Për sa i përket stërvitjes, nuk më pëlqejnë palestrat e mbyllura. Prej vitesh praktikoj yogën dhe së fundmi kam zbuluar pilatesin.

Nëse do ta përmblidhja, do të thosha: Ecje të gjata në natyrë për trupin; yoga për shpirtin; pak ushtrime force për forcën e brendshme.

50 vjeç?! Gazetarja i shtangu të gjithë me pamjen e saj

A ka ndonjë zakon të vogël të përditshëm që mendon se ndikon?

Nëse do të veçoja diçka, do të ishte rutina e një mbrëmjeje të qetë. Më pëlqen ta kaloj mbrëmjen pa celular. Dëgjoj podcast-et e mia të preferuara, shoh një film në Netflix ose, më së shumti, lexoj një libër, një zakon që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.

Zgjohem herët. Gjëja e parë që bëj është të shikoj qiellin dhe të buzëqesh.

Sado të përpiqemi, stresin nuk e eliminojmë dot për shkak të mënyrës si jetojmë sot. Stresi është ndoshta armiku më i madh i kohëve moderne, por buzëqeshja mbetet arma më e fortë.

Nuk mund ta lë pa përmendur diçka shumë të rëndësishme: unë nuk kam pirë kurrë duhan. Si gazetare e shëndetit, e ndiej të theksoj dëmet e mëdha që ai sjell, veçanërisht te gratë dhe vajzat. Duhanpirja prek jo vetëm shëndetin e brendshëm, por edhe atë të jashtëm. Përshpejton plakjen e lëkurës, krijon rrudha dhe humb shkëlqimin natyral. Kujdesi për veten fillon me zgjedhjet që bëjmë çdo ditë.

50 vjeç?! Gazetarja i shtangu të gjithë me pamjen e saj

A ndjek një rutinë të caktuar për kujdesin ndaj lëkurës? Cilat janë produktet e tua të preferuara?

Jam shumë e kujdesshme me lëkurën. Besoj te fuqia e hidratimit dhe te produktet natyrale. Nuk përdor grim dhe krem pudër në përditshmëri. Preferoj të përdor serumet vajore.

Ke bërë ndonjë trajtim estetik. Nëse po, çfarë?

Pjesë e rutinës sime të përkujdesjes për lëkurën janë pastrimi i rregullt, maskat dhe trajtime si peeling-u dhe mezoterapia disa herë në vit. Megjithatë, nuk kam bërë kurrë botoks apo filler.

Më kanë sugjeruar “pak botoks”, por nuk jam ndier mirë. E shoh sesi vitet lënë gjurmët e tyre në lëkurën time, por kam zgjedhur t’i përqafoj të gjitha fazat e jetës. Më kujtohet njëherë që lexova diçka që më la mbresë nga një psikolog: "Më vjen keq për këtë brez që i ka nisur ndërhyrjet estetike kaq herët… Ata nuk do të kenë mundësinë të njohin shprehinë e vërtetë të fytyrës së tyre."

50 vjeç?! Gazetarja i shtangu të gjithë me pamjen e saj

A ke ndonjë filozofi apo moto që e ndjek për të jetuar më mirë dhe për të qëndruar e re si fizikisht, ashtu edhe shpirtërisht dhe mendërisht?

 Unë jam një natyrë thellësisht emocionale dhe gjithmonë jam udhëhequr nga ndjenjat. Nuk konkurroj me askënd, por përpiqem të jem versioni më i mirë i vetes. Besoj se kur je mirënjohëse për jetën, kur e do veten dhe ndjek ëndrrat, nuk ka rëndësi sa vjeç je - ti rrezaton dritë!

50 vjeç?! Gazetarja i shtangu të gjithë me pamjen e saj

Nëse do të mund të jepje vetëm një këshillë për një pamje të freskët dhe rinore, cila do të ishte ajo?

Për mua, bukuria qëndron përtej perfeksionit estetik. Dua t'u them të gjitha vajzave të reja se ne kemi ardhur në këtë botë si qenie unike. Diçka që ju mund ta shihni si një "difekt" në fytyrë apo trup, është në fakt shenja juaj e individualitetit. Mos u nxitoni drejt ndërhyrjeve kirurgjikale - më mirë përqafoni atë që ju bën të veçanta.

Në vend që të kërkojmë të ndryshojmë veten për t’iu përshtatur një standardi të jashtëm, le të zbulojmë pasionet dhe talentet tona - ato që na mbushin shpirtin dhe na bëjnë të rrezatojmë. Ne kemi lindur unike, ndaj le të mos shndërrohemi në fotokopje. Dhe kjo kërkon guxim.

Goca, duajeni veten! Jo versionin e përsosur që kërkon shoqëria, por versionin tuaj të vërtetë. Bukuria është liria e të qenit vetvetja. Ndoshta baluket nuk na shkojnë të gjithave, por besimi në vete na bën të parezistueshme. Nuk ka krem, dietë apo trajtim që mund të zëvendësojë shkëlqimin e një gruaje që e di vlerën e saj dhe e jeton jetën me pasion.

Dhe në fund të ditës, kur dritat fiken dhe mbyllim sytë për të fjetur, beteja me botën përfundon… dhe fillon ajo më e forta, ajo me veten, për zgjedhjet që kemi bërë apo nuk kemi bërë. Në mëngjes, kur hapim sytë dhe përballemi me pasqyrën, rëndësi ka të mos pendohemi - pavarësisht nëse shohim një model origjinal, të vetmin në botë, apo një version të rregulluar për të arritur "përsosmërinë".

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.