Eja shohim pak Tv

Andale Sport: Njih programin në 3 minuta

Shkruar nga Anabel

24 Shkurt 2025

Andale Sport: Njih programin në 3 minuta

Nga fusha në studio, nga adrenalina në batuta – Andale Sport është vendi ku sporti bëhet më shumë se thjesht lojë! Nuk ka rëndësi nëse je tifoz i flaktë apo dikush që mezi dallon një penallti – aty ka vend për të gjithë! Ata flasin për gjithçka: nga futbolli dhe basketbolli, te Formula 1 dhe sporte që as nuk i ke marrë me mend. Kanë të ftuar që dinë të analizojnë, por edhe të tjerë që dinë të zbavisin. Në Andale Sport ka debate pa filtra, batuta pa doreza dhe emocione si në minutat e fundit të një ndeshjeje vendimtare. Sepse në fund të fundit, sporti është për qejf, jo për hall… apo jo?

Bonus: Të gjitha këto diskutohen nga 3 çuna shumë simpatikë! ;)

Përshëndetje nga Ata!

Andale Sport: Njih programin në 3 minuta
Flori Thomaj

Është me Barcelonën dhe dukshëm është vetëm 23 vjeç, por sheh futboll gjithë ditën. Pikë bonus sepse e dashuron futbollin shqiptar më shumë se kampionatet e huaja. Është portier i mirë (në kalçeto). Emocionohet vetëm për gjërat që ndodhin në futboll dhe i lidh të gjitha ngjarjet e jetës me këtë sport. Ka motivim ekstra për çdo gjë që ndodh. Nuk ka rëndësi si apo kur, ai gjithmonë do të gjejë zgjidhjen më të mirë (dhe batutën më të mirë).

“Futbolli na ka mësuar si të dashurojmë.” - Flori

Andale Sport: Njih programin në 3 minuta
Benard Lazri

Futbolli është oksigjeni i tij – nuk ka orar, nuk ka limit, mund të flasë për futboll në çdo moment të ditës. Është ai shoku që të kujton formacionet e çdo ekipi që nga viti 2005. Milanisti i zjarrtë – zemra e tij rreh kuq e zi dhe çdo ndeshje e Milanit është një çështje personale. Në fitore feston me pasion, në humbje… më mirë mos i flisni fare! Ish-sulmues, gjithmonë në sulm – ëndrra e madhe ishte të shënonte për Kombëtaren ose Milanin, por fati kishte plane të tjera për të. Tani gjuajtjet e tij janë të sakta në analiza sportive…dhe në zemrat e vajzave! Se mos kujtoni që vetëm në futboll ka statistika të mira…

"Futbolli nuk është sport, është mënyrë jete."- Benard

Andale Sport: Njih programin në 3 minuta
Salion Preceta

Mundohet të jetë sa më korrekt me atë që thotë. Është i qetë dhe mund të mos flasë shumë, por nëse e mërzit, ndoshta nuk flet fare. Ndonjëherë e mendon më shumë sesa duhet atë që do të shprehë, aq sa i thonë: “Futi të dytin, o plako.” Por ai prapë e mban të parin, ndoshta e bën kastile. Për ata që e paragjykojnë, i sfidon ta njohin më mirë, sepse ndoshta do t’i befasojë me një histori që do t’i bëjë të ndihen “të pasigurt”.

“Vetëbesimi shpeshherë është i heshtur.” - Salion

Top 5 momentet

1. Tirana vs Partizani – Gocat zihen para derbit

2. Topi i Artë – Çfarë thanë yjet e futbollit shqiptar?

3. Luajtën dhe komentuan me Alban Xhihanin

4. Milan - Inter – Ndoqën derbin në San Siro

5. Ndërtuan një ekip me 0 lekë?

Çfarë vjen më pas?

Episode të reja dhe gjëra që nuk janë bërë kurrë më parë! Si përjetohet futbolli nga tifozët më të çmendur? Po historitë e bukura që ndodhin në fushat e gjelbërta? Ka edhe nga ata që nuk ia dolën të realizojnë ëndrrën e tyre. Sfida dhe lojëra me lojtarët dhe personazhet më të veçantë të futbollit shqiptar dhe jo vetëm. Çdo sport që luhet, komentohet tek ata. Andale Sport është më shumë se sport, ndaj nuk ka frikë të kalojë çdo limit!

Duhet t’i shohësh patjetër!

I gjeni kudo – në çdo rrjet social, në çdo stadium e në çdo vend ku përmendet fjala “futboll”. Ata mirëpresin çdo koment tuajin dhe madje mund të bashkoheni me ta për të dhënë mendimet tuaja. Ka vend për të gjithë!