Mendja

Kujdes! Këto 9 veprime të fshehura po e nxjerrin pasigurinë tënde zbuluar

Shkruar nga Anabel

28 Shkurt 2025

Kujdes! Këto 9 veprime të fshehura po e nxjerrin pasigurinë

Nuk ka njeri që s’ka përjetuar pasiguri në ndonjë moment të jetës. Edhe ata që duken të patundshëm, në një mënyrë apo në një tjetër, përballen me dyshime ndaj vetes. Shpesh mendojmë se pasiguria është diçka e dukshme, por në realitet, ajo shfaqet në mënyra shumë më të fshehta se sa e kuptojmë. Më poshtë, disa nga shenjat e fshehta të pasigurisë, ndikimi i tyre në jetën personale dhe profesionale, si dhe mënyrat si mund ta përballosh.

Çfarë është pasiguria?

Thjesht fare: pasiguria është ndjenja e dyshimit ndaj vetes. Ajo mund të vijë nga përvoja të kaluara, mungesa e vetëbesimit apo ndikimi i mjedisit. Në disa raste, ndikon edhe prania e njerëzve të caktuar që të bëjnë të ndihesh më pak i sigurt.

9 shenja të fshehta të pasigurisë

Pasiguria nuk është gjithmonë e dukshme. Madje, shpesh nuk e kuptojmë fare se si ndikon në sjelljen tonë të përditshme. Ja disa shenja që mund të tregojnë se je më i pasigurt se sa mendon:

1. Kërkon falje për çdo gjë

Të kërkosh falje është normale, por nëse e bën gjatë gjithë kohës, mund të jetë një tregues i pasigurisë. Kur dikush ka nevojën të kërkojë falje për çdo gjë, ka frikë se mund të jetë një barrë për të tjerët apo të krijojë probleme. Kjo sjellje mund ta bëjë personin të ndihet më i parëndësishëm.

2. Nuk di si të pranosh komplimente

Nëse dikush të thotë diçka të bukur dhe përgjigjja jote e parë është: “Ah jo, nuk është e vërtetë,” apo “Po ti s’ke parë gjë akoma”, atëherë mund të kesh një problem me vetëbesimin. Kur e zvogëlon një kompliment, në fakt po tregon që nuk e pranon veten ashtu siç je.

3. Kërkon vazhdimisht vërtetim nga të tjerët

Nëse shpesh ke nevojë të pyesësh të tjerët: “A e bëra mirë?”, “A dukem mirë?”, “A të pëlqeu?”, ka shumë mundësi që të jesh i pasigurt. Sigurisht, të kërkosh mendim është normale, por kur e bën në mënyrë të përsëritur, tregon mungesë vetëbesimi dhe varësi nga miratimi i të tjerëve.

4. Tërhiqesh nga jeta sociale

Në vend që të dalësh dhe të argëtohesh, zgjedh të izolohesh sepse ke frikë nga gjykimi apo ndihesh sikur nuk i përket grupit. Kjo sjellje vetëm sa e ushqen pasigurinë dhe e bën edhe më të vështirë daljen nga kjo gjendje.

5. I shmangesh sfidave

Nëse gjithmonë zgjedh rrugën më të lehtë për të mos rrezikuar dështimin, atëherë pasiguria po të ndikon më shumë nga sa mendon. Ndonjëherë, shmangia e sfidave maskohet si dëshirë për të ruajtur stabilitetin, por në të vërtetë mund të jetë frika nga dështimi ose ekspozimi.

6. E tepron me mburrjet

Një tjetër mënyrë si pasiguria shfaqet është përmes mburrjeve të vazhdueshme ose nevojës për të dominuar bisedat. Nëse një person flet vazhdimisht për arritjet e tij apo mundohet të të tregojë sa i aftë është në çdo gjë, shpesh është për të mbuluar ndjenjat e dyshimit që ka te vetja.

7. Dëshiron të jesh perfekt në gjithçka

Perfeksionizmi mund të duket si një cilësi pozitive, por kur bëhet i tepërt, është një tregues i pasigurisë. Kur nuk e lejon veten të bësh asnjë gabim apo e ke të vështirë të përfundosh diçka sepse nuk duket “mjaftueshëm mirë”, kjo tregon frikë nga gjykimi dhe mungesë vetëbesimi.

8. Krahasohesh vazhdimisht me të tjerët

Nëse e sheh veten duke menduar shpesh: “Pse unë s’kam atë që ka ai?” ose “Unë s’jam aq i suksesshëm sa ajo”, atëherë pasiguria po të ndikon. Ky krahasim i vazhdueshëm vetëm sa ul vetëvlerësimin dhe krijon ndjenja pakënaqësie.

9. Përpiqesh t’i kënaqësh të gjithë

Nëse të është e vështirë të thuash “jo” dhe gjithmonë vendos nevojat e të tjerëve mbi të tuat, kjo mund të vijë nga frika e refuzimit. Shpesh, njerëzit që përpiqen t’i bëjnë të gjithë të lumtur kanë ndjesinë se nuk janë të mjaftueshëm nëse nuk japin vazhdimisht diçka për të tjerët.

Si ndikon pasiguria në jetën tënde?

Edhe pse e fshehtë, pasiguria ndikon në çdo aspekt të jetës. Ajo mund të dëmtojë marrëdhëniet, të të bëjë të tërhiqesh nga mundësitë dhe të ulë vetëvlerësimin.

Nëse e gjen veten duke bërë disa nga këto sjellje, mos u shqetëso - pasiguria është diçka që mund të përmirësohet me kalimim e kohës. Duke e vënë re dhe duke punuar mbi të, mund të ndërtosh një vetëbesim më të fortë dhe të jetosh më lirshëm.

Burime: Verywell Mind

Artikuj të sugjeruar: