Eja shohim pak Tv

Produksioni i "Big Brother" po kërkon të krijojë një Luiz të dytë, por s’mund ta ketë

Shkruar nga Sindi Salaj

5 Mars 2025

Produksioni i "Big Brother" po kërkon të krijojë

“Historia përsërit veten, fillimisht si tragjedi, pastaj si farsë.“ - Karl Marksi. Me sa duket, edhe produksioni i “Big Brother VIP Albania” po e lexon Marksin, por me pak vonesë. Ata e kuptuan se personazhi Luiz Ejlli i sezonit të dytë ishte një “minierë ari” dhe tani po përpiqen ta riformatojnë skemën me Gjestin, por harrojnë një gjë të vogël: Luiz Ejlli nuk ishte produkt laboratori.

Një Luiz i dytë? Jo, skenari nuk do të funksionojë! Luizi u shndërrua në fenomen (na pëlqente apo jo loja e tij, ky është tjetër diskutim) sepse u pozicionua kundër të gjithë shtëpisë, madje edhe kundër opinionistëve. Ai e ktheu lojën në një arenë ku dukej në sytë e publikut sikur ai ishte i vetëm kundër “sistemit”. Kjo krijoi tension, dramë dhe mbi të gjitha, emocion – sepse publiku lidhet natyrshëm me dikë që është “i pambrojtur”.

Nga ana tjetër, Gjesti është energjik, krijon debate dhe ngacmime, por nuk e mban dot audiencën mbërthyer. Kjo, sepse zor se mund të krijojë lidhje me publikun e çdo grupmoshe kur nuk ka debate konstruktive dhe të mirëargumentuara, por në vend të tyre, fjali të zbrazëta “u kry çdo sen” dhe “të nguc kingi” .

Produksioni i "Big Brother" po kërkon të krijojë

Pra, Gjesti – edhe pse ka mbështetës, patjetër – nuk mund të shndërrohet në një Luiz të dytë sepse nuk ka kundërshtarë të vërtetë. Po ta shihni me vëmendje, do të kuptoni se ai trajtohet urtë e butë nga moderatori, opinionistët apo stafi i montazhit.

Le të përmendim disa raste. Kur Gjesti e quajti G Banin “qorr i Lalzit”, nuk u bë asnjë diskutim, ndërsa kur Rozana përdori “gagaçe”, u komentua në studio fyerja. Gjesti kaloi murin e shtëpisë, një nga rregullat bazë të formatit. U penalizua? Po, por vetëm me reduktim të çmimin të madh nëse fiton. Po ta kishte bërë dikush tjetër, do ishte përjashtuar direkt. Po kur Gjesti i shkon nga mbrapa Eglit, e puth, përqafon dhe kërkon vëmendjen e saj, pse nuk publikohen momentet në Instagram/YouTube, por përqendrohen vetëm te momentet kur Egli “i shkon nga pas”?.

Tani kalojmë te diskutimi për nishanin në prime-n e djeshëm. Arbi, që nuk kursehet me ironitë dhe batutat, shpeshherë edhe tallëse për banorët e tjerë (kujto Joz Shina, Joz Francezi, ç’më qesh ashtu?) komentoi ftohtë dhe mezi po i gjente fjalën për të mos e mërzitur Gjestin duke i thënë vetëm: “Kjo sjellje e Gjestit ndaj Eglit tregon mungesë etike për mënyrën si duhet të shprehet dikush ndaj një njeriu që e konsideron të afërt”.

Ndërsa Neda – e njohur për debatet e saj shpeshherë edhe në nivele personale (me Rozanën) apo për komentet e ashpra për temat delikate (kujto kur i tha Eglit “ti ke folur një orë me prapranicën e një djali") – iu drejtua Gjestit a thua se ky i fundit ishte një fëmijë kopshti dhe kishte merak mos qante. “Unë nuk e vendos në dyshim që Gjesti nuk ka dashur të të lëndojë…”. Gjesti, me një mospërfillje për debatin, ngrihet dhe ikën dhe Neda butësisht pyet: “Ku po ikën o Gjesti? Gjesti?”.

Produksioni i "Big Brother" po kërkon të krijojë

Shtojmë edhe qasjen e Ledionit që teksa Gjesti refuzoi të komentonte debatin për nishanin dhe tha në mënyrë kategorike “nuk flas”, u përpoq t’ia shpjegonte me qetësi pse po zgjidhnin ta diskutonin (dikur nuk mbajti të njëjtin qëndrim ndaj Jetmirit që nuk pranoi të komentonte, përkundrazi, iu drejtua me ironi dhe i përmendi që komentonte në TikTok).

Një burim i sigurt na ka konfirmuar se Gjesti ka nënshkruar një kontratë dhe ka kaluar në menaxhimin e Top Channel. Kjo na bind edhe më shumë që ai po trajtohet ndryshe nga banorët e tjerë.

Me këtë logjikë, loja po bëhet e padrejtë për banorët e tjerë. Duke favorizuar hapur Gjestin, produksioni po ul besueshmërinë e formatit dhe po përjashton çdo mundësi që të lindë një fenomen i ri autentik.

Teksa po përpiqen të prodhojë një ikonë, kanë harruar që ikonat nuk krijohen me skenar.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.