Qeveria ka rekomanduar mbylljen apo kufizimin e platformës TikTok për 12 muaj. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se ky vendim është marrë pas konsultimeve të vazhdueshme me prindërit.
Sipas Manastirliut, TikTok është një rrjet social që ndikon negativisht te fëmijët, duke nxitur dhunë. Si pasojë, ministrja tha se "do të duhen disa ditë apo 1 javë për të ndërprerë përkohësisht aksesin në TikTok".
“Kemi zhvilluar konsultime të gjera me prindërit, për sigurinë e fëmijëve në mjedisin digjital dhe efektet që sjellin në gjendjen psiko-emocionale te fëmijët platformat e rrjeteve sociale. Kanë qenë pro mbylljes apo kufizimit për TikTok.
Kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për 12 muaj, periudhe që do të na lejojë kohën për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok.”, tha Manastirliu.
Sipas ministres, pjesë e konsultimeve kanë qenë 65 mijë prindër të pyetur në 1300 takime.
"Kemi zhvilluar një seri të gjerë konsultimesh me prindër, 65 mijë prindër të pyetur në 1300 takime. Janë aspekte që lidhen me sigurinë e fëmijëve ndaj platformave që kanë përmbajtje të pakontrolluar. Në këto takime, me qëllim edhe realizimin e planit të veprimit të ri sa i takon forcimit të mekanizmave të parandalimit sa i përket incidenteve që sjellin dhunë fizike, bullizmin apo edhe atë online, prindërit kanë rekomanduar mbylljen ose kufizimin e TikTok.", shtoi ajo.
Ky vendim fillimisht u propozua nga kryeministri Edi Rama para disa muajsh, pas një mbledhjeje qeverie fill pas ngjarjes së rëndë të regjistruar pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”, ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani.
Artikuj të sugjeruar: