Ministrat europianë të Mbrojtjes tregojnë një qëndrim të unifikuar në mbështetje të Ukrainës
Ministrat e Mbrojtjes nga pesë vendet më të mëdha ushtarake të Europës – Franca, Gjermania, Britania, Italia dhe Polonia – u takuan të mërkurën në Paris për të diskutuar një plan të ri sigurie për Ukrainën.
Ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, përshëndeti përparimin diplomatik që Uashingtoni dhe Kievi bënë në Arabinë Saudite, duke deklaruar se "topi është në fushën e Rusisë". Një marrëveshje e propozuar tridhjetë-ditore e armëpushimit tani qëndron në tryezën e Vladimir Putinit.
Takimi u zhvillua një ditë pasi një mbledhje e rrallë e 34 shefave ushtarakë nga vendet e NATO-s, si dhe Japonia dhe Australia, u mbajt në Paris pa praninë e zyrtarëve amerikanë.
Trump kërcënon Putin: “Nëse nuk pranon armëpushimin, do sanksionoheni”
Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me pasoja "shkatërruese" Rusinë nëse Vladimir Putin nuk bie dakord për një armëpushim 30-ditor me Ukrainën.
Trump bëri këtë deklaratë, teksa diskutonte përpjekjet e ekipit të tij për t'i dhënë fund konfliktit, i cili sipas tij mund të çojë në luftën e tretë botërore.
Kur u pyet se çfarë mund të bëjë SHBA për të bërë presion ndaj Rusisë për paqe, ai tha: “Ka gjëra që nuk do të ishin të këndshme në aspektin financiar. Mund të bëj veprime financiare që do të ishin shumë negative për Rusinë. Nuk dua ta ndërmarr veprime financiare, por nuk e dua këtë sepse dua të kem paqe.”
Trupa paqeruajtëse të EUFOR-it mbërrijnë në Bosnje mes tensioneve në rritje
Paqeruajtësit shtesë mbërritën në Bosnje të mërkurën mes tensioneve në rritje në vend, një ditë pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ripohoi mbështetjen për integritetin territorial dhe paqen e vendit.
Personeli ushtarak italian dhe çek u ulën në aeroportin e Sarajevës dhe u pritën nga forca e BE-së në Bosnje, e njohur si EUFOR. Trupat rumune, helikopterët dhe furnizimet ushtarake do të mbërrijnë në ditët në vijim.
Rutte është zotuar për mbështetjen "e palëkundur" të NATO-s për integritetin territorial të Bosnjës, pasi një sërë lëvizjesh serbe shkaktuan tensione gati 30 vjet pas përfundimit të një lufte të përgjakshme.
Parlamenti Europian miraton planin e riarmatosjes
Parlamenti Europian në Strasburg miratoi me 419 vota pro, 204 kundër dhe 46 abstenime rezolutën për të ardhmen e mbrojtjes europiane. Ky plan kërkon që BE-ja të veprojë urgjentisht për të garantuar sigurinë e saj, duke kërkuar që përgjigjet ndaj rreziqeve të jashtme të jenë "të ngjashme me ato në kohë lufte".
Ky zhvillim mirëpret planin e Riarmatimit të Europës, të propozuar nga presidentja e Komisionit, Ursula Von Der Leyen, me vlerë 800 miliardë euro.
Shefja e Komisionit Europian, Von der Leyen, pritet ta prezantojë zyrtarisht planin për riarmatosjen e Europës në datat 20 dhe 21 mars në mbledhjet e Komisionit.