1 javë pas largimit të beftë nga shtëpia e “Big Brother”, Egli ka bërë një reagim të gjatë në rrjetet e saj sociale ku sqaron gjithë arsyet që e çuan drejt largimit dhe gjendjen e saj emocionale aktualisht.
Ajo nisi deklaratën e saj duke falenderuar gjithë njerëzit që ishin interesuar për gjendjen e saj shëndetësore dhe emocionale që pas daljes nga shtëpia. Më pas, Egli sqaroi:
“Dua ta nis duke ju thënë se ndihem e trishtuar dhe e ngarkuar, por nuk ndodhem në asnjë spital psikiatrik apo asgjë e ngjashme me këtë të fundit. Kam shumë njerëz pranë vetes që po investohen me gjithçka kanë, që unë të rimbledh forcat për ta dashur veten shumë! Faleminderit Zot!”
Siç kemi thënë dhe në një artikull të mëparshëm, nga produksioni nuk transmetoheshin shumë pamje ku ishte dhe Gjesti ai që kryente veprime romantike ndaj Eglit, të cilat ajo i adresoi si më poshtë:
“Fatkeqësia e narrativës së historisë sonë (nëse më lejoni ta quaj të tillë) mediatikisht mendoj se ishte fakti që nuk iu dha zë, të paktën mjaftueshëm, pamjeve ku edhe mua më citoheshin fjalime, qasje romantike e konfirmime se një ndjenjë ka lindur, se ka një vlerësim, tërheqje e pëlqim, se sheh një perspektivë deri tek ajo e ‘gruas’ në të ardhmen, se 's'mund të qëndronte dot larg meje' e sa e sa të tjera, siç vetëm një partner ose dikush në këtë tentativë mund të të drejtohet...”
Ishin pikërisht këto veprime, që sipas Eglit, e shtynë deri aty sa të “mos respektonte veten”, siç e akuzonin shpesh:
“Unë nuk mundem dot t’i lexoj ndjenjat, por veprimet i kam lexuar si të tilla, të sinqerta.
Për këtë arsye zgjodha të qëndroja e vërtetë në ndjenjat e mia, të luftoja për to e të mos i mohoja, siç edhe vetë ai më kërkonte të bëja. U përpoqa shumë të kuptoja lojën e tij strategjike me pjesën tjetër të shtëpisë, qoftë edhe kur ajo lojë cenonte respektin ndaj vetes sime.”
Veprimet dhe reagimet e saj, Egli i cilësoi si ato të një vajze të dashuruar dhe se e tillë ishte ajo në dashuri, “kujdesej më shumë për tjetrin se për veten”.
“Si një njeri që bën shumë për të tjerët, deri në vetëmohim, tërheq narcisizmin drejt meje, e kundërta jote të tërheq,” tha ajo duke nënkuptuar se i shikon tashmë veprimet e Gjestit të orientuara vetëm në shërbim të egos së tij.
Duke thënë më tej se “s’është hera e parë që i ndodh” diçka e tillë, ajo sqaroi se deklarata e mëparshme e saj brenda shtëpisë se "Gjesti i kujtonte Olsi Bylykun", paska qenë pikërisht për këtë tipar të personalitetit, narcisizmin.
Ndonëse Egli sqaroi se tashmë është mirë dhe pranë kujdesit të familjes së saj, nuk hezitoi të pranonte se kishte akoma ndjenja për Gjestin, pa ia përmendur asnjëherë emrin drejtpërdrejt:
“Vazhdoj të kem ndjenja, nuk mundem dot t’i fik me një buton, por të qëndruarit në distancë më bën ta kem më të ftohtë realitetin dhe të jem më pak e ndikuar emocionalisht nga prezenca 24/7, që deri në momentin e daljes, ishte e pamundur ta shmangia. Më ndikonte shumë emocionalisht. Malli është më i menaxhueshëm për mua, se sa prezenca. Po merrem dalëngadalë me veten time për t’u ngritur më e fortë.”
Më tej, Egli u shpreh falenderuese për gjithë momentet e bukura mes tyre, ama preu mundësitë për një takim të saj me Gjestin jashtë shtëpisë, duke thënë se nuk do të kishte kuptim përderisa ai deklaroi se s’mund të kenë kurrë një lidhje romantike mes njëri-tjetrit.
“Unë isha bërë e tepërt në optikën e tij e po më thuhej shpesh fraza ‘o unë, o ti në këtë shtëpi’. ‘Po ma bën të pamundur të qëndroj këtu, po më prish lojën time për të cilën kam sakrifikuar’ etj. Për një njeri që shkatërron lojën dhe veten, për të mbrojtur e luftuar për lojën e dikujt tjetër, është dëshpëruese të dëgjosh këto.”
Ndonëse veprimet kundërshtuese ndaj njëra-tjetrës nga ana e Gjestit u bënë të tepërta për Eglin dhe çuan në largimin e saj nga shtëpia, ajo sërish përmbylli deklaratën e saj në mbështetje të tij dhe mirënjohëse për emocionet pozitive që ai i kishte dhuruar gjatë qëndrimit në shtëpi:
“Kemi ndarë pjatën dhe shtratin së bashku dhe nga ana ime, nuk do të përçmohet asnjëherë. Zgjedh të mbaj mend për mirë e të lë kohën dhe Zotin të ndajë hallallin dhe harramin! Faleminderit nga shpirti për gjithë dashurinë dhe vlerësimin tuaj. E juaja, Egli!”