Marija Taseva ishte duke shijuar një natë jashtë me motrën e saj në klubin e natës Pulse në Koçan, në Maqedoninë e Veriut, të shtunën kur ndodhi tragjedia.
Ato po shihnin DNK, një dyshe e njohur hip-hop, kur shpërtheu zjarri, i cili shkaktoi vdekjen e të paktën 59 njerëzve, ndërsa 155 të tjerë janë të lënduar dhe disa në gjendje kritike për jetën.
“Të gjithë nisën të ulërisnin dhe bërtisnin ‘largohuni, dilni jashtë!’”, tha 19-vjeçarja për Reuters.
Njerëzit u përpoqën me dëshpërim t'u shpëtonin flakëve, por kishte vetëm një dalje për rreth 500 persona, sepse e vetmja derë tjetër në pjesën e pasme të lokalit ishte e mbyllur.
“Nuk e di si por përfundova në tokë, nuk munda të ngrihesha dhe në atë moment njerëzit filluan të më shkelnin,” tha Marija. Ajo arriti të dilte, por motra e saj jo.
"Motra ime vdiq, unë shpëtova, kurse ajo jo."

Shumë njerëz janë të zemëruar dhe kërkojnë përgjigje, si Dragi Stojanov, i cili humbi fëmijën e tij të vetëm, 21 vjeç.
“Më lejoni t'jua them para të gjithëve. Më filmoni. Unë jam një njeri i vdekur, kam humbur gjithçka...e gjithë Europa duhet ta dijë. Pas kësaj tragjedie, për çfarë më duhet kjo jetë, nuk më duhet. Kisha një fëmijë dhe e humba," u tha ai gazetarëve.

“Shumica e të vdekurve kanë pësuar lëndime nga rrëmuja që ka ndodhur nga turma e panikosur gjatë përpjekjes për të dalë,” u tha gazetarëve kryetarja e spitalit të Koçanit, Kristina Serafimovska.
“70 prej pacientëve kanë djegie dhe helmim nga monoksidi i karbonit,” tha ajo. “Shumica prej tyre kanë lëndime nga djegia, mbi 18% të sipërfaqes së trupit, djegie të shkallës së dytë dhe të tretë në kokë, qafë, bust dhe gjymtyrët e sipërm - duar dhe gishta,” u shpreh Vladislav Gruev, kirurg.
Vullnetari i Kryqit të Kuq, Mustafa Saidov, tha se shumica e atyre që vdiqën ishin të rinj. "Brenda ku po identifikojnë viktimat, situata është shumë më e keqe. E shihni që edhe prindërit janë mjaft të rinj, rreth të 40-ave. Fëmijët e tyre janë 18 ose 20 vjeç.
"Situata është brutale, kaotike, historitë janë shumë të trishtueshme dhe fatkeqësisht shumë jetë të rinjsh kanë humbur."
Një burrë, nipi i të cilit u plagos nga zjarri, tha se disa njerëz nuk kanë qenë në gjendje të gjejnë fëmijët e tyre.
Policia ka arrestuar 15 persona, ndërsa ministri i Brendshëm, Pance Toskovski, tha se ka "baza për dyshime se ka ryshfet dhe korrupsion" të lidhur me zjarrin.
Zjarri filloi rreth orës 02:30 të mëngjesit, të dielën kur shkëndija nga mjetet piroteknike goditi tavanin, i cili ishte bërë nga materiale që merrnin flakë menjeherë.
I përshkruar si një "klub nate i improvizuar" nga shtypi vendas, godina nuk kishte licencë ligjore. Më parë ka qenë një magazinë qilimash dhe policia po heton.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, tha se duhet të mbahet përgjegjësi për tragjedinë.
Të rinjtë me plagë të rënda janë dërguar për trajtim në klinikat e specializuara në Bullgari, Greqi, Serbi dhe Turqi.
Qeveria ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare dhe do të mbajë një seancë urgjente si pjesë e hetimeve të vazhdueshme për mënyrën sesi ndodhi incidenti.
Burimet: Associated Press, BBC