Marredhenie

Ju shpjegojmë 12 ligjet e karmës përmes situatës së Rozanës dhe Nedës

Shkruar nga Anabel

17 Mars 2025

Ju shpjegojmë 12 ligjet e karmës përmes situatës së

Kur Rozana Radi në 2011-ën, kohë kur kushdo mund të shkruante çfarëdo për këdo dhe nuk njihte dallimin mes opinionit dhe ofendimit/bullizimit/kërcënimit etj., shkruante për Neda Ballukun, asokohe banore në “Big Brother 4”, komente që sot padyshim mund t’i rrezikonin karrierën, me siguri nuk e kishte menduar që fati – që shpeshherë është shuuumë ironik – do të bënte që Neda të ulej në karrigen e opinionistes dhe të komentonte sot Rozanën, banore e “Big Brother VIP 4”. Siç shumë njerëz shkruan nëpër rrjete sociale, ky është një rast i pastër i fuqisë së karmës.

Por çfarë është karma në të vërtetë? Sipas ligjeve të karmës, gjithçka që bëni krijon një energji përkatëse që kthehet tek ju në një formë.

Kur shumica e njerëzve flasin për karmën, zakonisht i referohen ligjit të shkakut dhe pasojës. Sipas këtij ligji, mendimet ose energjia që nxjerr, të kthehet - e mirë apo e keqe. Koncepti i “çdo të mbjellësh, do të korrësh”. Në këtë rast, duket se sot Rozanës po i kthehet çfarë ka dhënë në të kalurën: një pozicion ku është subjekt i gjykimit të dikujt tjetër, ashtu siç ajo dikur gjykonte.

Mirëpo karma ka edhe 11 ligje të tjera, më pak të njohura, të cilat mund të lidhen me këtë histori:

Ligji i krijimit: Thekson rëndësinë që jeta nuk është thjesht diçka që ndodh. Që të ndodhin gjëra në jetën tuaj, duhet të merrni masa, në vend që të prisni që diçka t’ju ndodhë si me magji. Për shembull, fati nuk e solli rastësisht Nedën në pozicionin e opinionistes. Padyshim, qëllimi i Nedës në jetë nuk ishte që të merrej me Rozanën, të kuptohemi. Megjithatë, ajo ka punuar dhe investuar  për të krijuar një karrierë të qëndrueshme në media dhe sot ndodhet në pozitat e opinionistes, duke pasur mundësinë të komentojë Rozanën, një figurë që 13 vite më parë e shihte vetëm në ekran ose i lexonte statuset që shkruante në Facebook, pa pasur fuqinë t’i përgjigjej.

Ligji i përulësisë: Bazohet te parimi që duhet të jesh aq i përulur sa të pranosh që realiteti yt aktual është rezultat i veprimeve të tua të kaluara. Nëse Rozana do ta shohë këtë situatë përmes këtij ligji, ajo mund të kuptojë se vendi ku ndodhet sot dhe komentet që merr në rrjete sociale nuk janë rastësore, por pjesë e një cikli që ajo vetë ka ushqyer dikur.

Ligji i rritjes: Për gjithçka në jetë, duhet të filloni me veten. Kjo sepse ndryshimi i vërtetë fillon me atë mbi të cilën ju keni kontroll, që është vetja, jo të tjerët. Në këtë rast, për të mësuar nga kjo përvojë, Rozana mund të reflektojë mbi të kaluarën e saj dhe të shohë se si mund të rritet si person nga ky moment.

Ligji i përgjegjësisë: Ju jeni produkt i zgjedhjeve që bëni. Nëse dikur ke zgjedhur të gjykosh dikë publikisht, duhet të jesh i vetëdijshëm që mund të gjendesh në një situatë të ngjashme. Ky është një mësim i fortë për të gjithë ata që komentojnë ose gjykojnë të tjerët në mënyrë të ashpër në rrjetet sociale apo në media.

Ligji i lidhjes: Bazohet te parimi se gjithçka në jetë, përfshirë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tuaj, janë të lidhura. Kush jeni sot është rezultat i veprimeve tuaja të mëparshme. Kush do të jesh nesër do të jetë rezultat i veprimeve sot. Pra, një koment i bërë vite më parë, edhe pse mund të jetë harruar nga shumë njerëz, mund të rishfaqet papritur.

Ligji i përqendrimit: Ky ligj thekson rëndësinë e përqendrimit të energjisë dhe vëmendjes në një aspekt të vetëm për të arritur rezultate më të mira. Në këtë rast, Rozana, pasi të dalë nga Bigu, mund të reflektojë për situatën dhe mësimet që mund të nxjerrë, në vend që të shpërqendrohet nga ironia e fatit. Ajo ka mundësinë të rritet si individ, të kuptojë më mirë veprimet e kaluara dhe të ndërmarrë hapa për t’u zhvilluar si person.

Ligji i të dhënit: Duhet t'u përkushtoheni gjërave në të cilat besoni. Ky ligj ju ndihmon të kuptoni rëndësinë e veprimeve tuaja. Neda sot ka në dorë të tregojë një mënyrë më etike dhe më të ekuilibruar për të komentuar Rozanën, duke treguar se si përvoja e saj personale e ka ndihmuar të rritet. Në prime-n e fundit, Neda e ftoi për kafe Rozanën, duke treguar se është e gatshme të shfaqë mirëkuptim.

Ligji i “këtu dhe tani”: Për të përjetuar qetësi shpirtërore, duhet të përqafosh të tashmen. Kjo mund të ndodhë vetëm kur largoni mendime ose sjellje negative nga e kaluara. Rozana mund të kërkojë ndjesë për të kalurën dhe të reflektojë; nga ana tjetër, Neda mund krijojë një marrëdhënie më të matur me Rozanën, duke harruar inatet e së kaluarës.

Ligji i ndryshimit: Historia do të vazhdojë të përsëritet derisa ju të mësoni nga përvoja dhe të ndërmerrni hapa që të bëni diçka ndryshe për të ndalur ciklin. Ky ligj është një mundësi për të dyja protagonistet e kësaj historie: si Rozana, ashtu edhe Neda, mund të zgjedhin të trajtojnë njëra-tjetrën me më shumë mirëkuptim dhe më pak paragjykim.

Ligji i durimit dhe shpërblimit: Tregohuni të durueshëm për qëllimet tuaja dhe ato do të realizohen. Neda ka treguar se koha shpërblen këdo që punon dhe qëndron i përkushtuar ndaj rrugëtimit të vet.

Ligji i domethënies dhe frymëzimit: Çfarë bëjmë ndonjëherë mund të na duket e vogël, por mund të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e dikujt tjetër. Kjo ngjarje është një mësim për të gjithë: asgjë nuk humbet, gjithçka kthehet!

Kjo histori na tregon se karma nuk është thjesht një koncept abstrakt, por një realitet i prekshëm; është një kujtesë për të gjithë që të jemi të kujdesshëm me fjalët dhe veprimet, sepse gjithçka që bëjmë, një ditë mund të na kthehet në mënyrën më të papritur!

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.