Ukraina dhe Rusia bien dakord për armëpushimin e Detit të Zi, thotë SHBA
Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për një armëpushim në Detin e Zi, ka njoftuar SHBA.
Shtëpia e Bardhë tha se Kievi dhe Moska "kanë rënë dakord të garantojnë lundrim të sigurt, të eliminojnë përdorimin e forcës dhe të parandalojnë përdorimin e anijeve tregtare për qëllime ushtarake në Detin e Zi".
Zhvillimi vjen pas tre ditë bisedimesh mes SHBA-së dhe dy delegacioneve në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad. Takimet nuk përfshinin asnjë bisedë të drejtpërdrejtë midis zyrtarëve ukrainas dhe rusë.
Skandali i kabinetit qeveritar, Trump: “Ishte një gabim i vogël”
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, komentoi të martën dërgimin e mesazheve sekrete për një sulm ushtarak kundër Houth, në një bisedë në “Signal”, ku u përfshi gabimisht edhe një gazetar. Ai e quajti skandalin si "e meta e vetme në dy muaj" të administratës së tij.
Reagimi i Trump ndaj këtij zhvillimi vjen ndërsa ligjvënësit demokratë kritikuan administratën e tij për trajtimin e pakujdesshëm të informacioneve sekrete shtetërore.
Ligji kundër paradës së LGBTQ+, mijëra qytetarë protestojnë në Budapest
Mijëra protestues bllokuan rrugët kryesore në qendër të kryeqytetit të Hungarisë të martën, duke protestuar kundër një ligji të miratuar së fundmi që ndalon paradën e Krenarisë LGBTQ+.
Protesta ishte e dyta brenda pak kohësh, që kur partia qeverisëse e Hungarisë përdori shumicën e saj parlamentare prej dy të tretave të martën e kaluar për të përshpejtuar ligjin, për të cilin kritikët thonë se është sulmi më i fundit i qeverisë ndaj të drejtave të komunitetit LGBTQ+ në vend.
Danimarka vendos shërbimin e detyrueshëm ushtarak për gratë dhe vajzat
Ministria e Mbrojtjes e Danimarkës njoftoi të martën se do të rekrutojë vajza dhe gra në shërbimin ushtarak.
“Në dritën e situatës aktuale të politikës së mbrojtjes dhe sigurisë, forcat e armatosura duhet të rekrutojnë më shumë njerëz”, tha në një deklaratë ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen.
Gratë që mbushin 18 vjeç pas 1 korrikut 2025, do t'u kërkohet të marrin pjesë vullnetarisht, por nuk përjashtohet as mundësia që të detyrohen.