Shefi i NATO-s paralajmëron Rusinë: “Do përballeni me pasoja shkatërruese nëse sulmoni Poloninë”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte paralajmëroi se përgjigja e aleancës, pas një sulmi ndaj Polonisë ose anëtarëve të tjerë nga Rusia, do të ishte 'shkatërruese'.
Rutte e dha paralajmërimin në një vizitë njëditore në Varshavë, pasi bëri thirrje për unitet midis kombeve europiane për të rritur forcat e tyre të armatosura, ndërsa Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Europës të kujdeset e vetme për sigurinë e saj në të ardhmen.
“Nëse dikush do të bënte një llogaritje të gabuar, duke menduar se do të ishte në gjendje të sulmonte Poloninë pa pasoja ose të sulmonte ndonjë aleat tjetër, duhet të dijë se aleanca jonë do të përgjigjet me forcë.”, tha ai.
Reklama e rreme televizive u kërkon fëmijëve të raportojnë të afërmit që dëgjojnë muzikë ruse
Një video është shfaqur në internet që supozohet se tregon një reklamë televizive ukrainase që inkurajon fëmijët të raportojnë anëtarët e familjes së tyre nëse tregojnë ndonjë interes për kulturën ruse.
Reklama i atribuohet kanalit ukrainas për fëmijë "PLUSPLUS" dhe tregon një djalë, i veshur me një bluzë të zezë me një simbol ukrainas, i cili shikon motrën e tij duke dëgjuar këngën ruse "Sigma Boy" dhe një video të presidentit amerikan, Donald Trump, duke kërcyer.
Djali më pas merr telefonin dhe raporton të motrën tek autoritetet, ndërsa një zë shprehet në fund të reklamës: "Mos harroni, nëse motra juaj adhuron fashistët rusë, ajo nuk është motra juaj".
Sulm me thikë në qendër të Amsterdamit, të paktën 5 të plagosur
Një person plagosi rëndë pesë qytetarë në një sulm me thikë në një rrugë të frekuentuar tregtare në Amsterdam përpara se të arrestohej.
Personi që kreu sulmin në kryeqytetin holandez mbeti i plagosur teksa u ndalua nga një kalimtar i rastit.
Ngjarja ndodhi pranë sheshit Dam në orët e vona të pasdites. Nuk është përcaktuar ende asnjë pistë hetimi dhe nuk bëhet e qartë nëse është sulm terrorist.
“I dyshuari u arrestua me ndihmën e një civili”, tha zëdhënësja e policies, Eline Roovers.
Mbreti Charles shtrohet në spital për shkak të efekteve anësore të trajtimit të kancerit
Mbreti Charles u shtrua për një kohë të shkurtër në spital pasi përjetoi "efekte anësore të përkohshme" për shkak të trajtimeve të vazhdueshme në betejën me kancerin, tha Buckingham Palace në një deklaratë.
Angazhimet e tij për të enjten pasdite dhe të premten u anuluan.
"Madhështia e tij tani është kthyer në Clarence House dhe si masë paraprake, duke vepruar sipas këshillave mjekësore, programi i ditës së nesërme do të riplanifikohet gjithashtu," thuhet në deklaratë.
Shëndeti i mbretit është vëzhguar nga afër që nga fillimi i vitit të kaluar, kur ai njoftoi se ishte diagnostikuar me një formë të kancerit që nuk dihet ende.