Si mund një histori dashurie të shndërrohet në makth? Aktivistja Xheklina Bylykbashi ndau për herë të parë përvojën e saj në episodin e pestë të “The Dalina Show”, ku tema kryesore ishte narcizmi dhe ndikimi shkatërrues që ai ka në jetën e viktimave.
Juristja dhe aktivistja, nënë e dy vajzave, rrëfeu se historia e saj nisi si një romancë pasionante, por shumë shpejt ajo filloi të zbulonte anën e errët të partnerit të saj.
“Ka qenë një histori që nisi si një romancë shumë e bukur, shumë e zjarrtë, por që nuk zgjati shumë sepse u shfaqën shenjat e para të një narcisti – manipulimi dhe gënjeshtrat. Me kalimin e kohës, i evidentova dhe i kuptova.”
Xheklina rrëfeu se marrëdhënia me partnerin u bë aq toksike, sa ajo u detyrua të manipulonte sjelljen e tij karshi saj dhe e anasjellta te prindërit, në shoqëri. Pra, nisi të imitojë sjelljet e tij për t’i shpëtuar partnerit.
“Nuk isha e vërtetë, as me veten, as me të tjerët. Ishte një sfidë shumë e madhe.”
Për ta simbolizuar dhunën emocionale dhe abuzimin që kishte përjetuar, Xheklina vendosi të shfaqej në podkast me një fustan të grisur në pjesën e pasme, në të cilin kishte shkruar fjalët: “Një partner narcist e bëri këtë.”
E prekur dhe me lot në sy, ajo dha një mesazh të fortë për të gjitha gratë:
"Mos mbani fustane të tilla në garderobë."
Narcizmi është një formë e skajshme e vetëvlerësimit që shpesh përfshin një kërkesë të vazhdueshme për adhurim dhe një mungesë të theksuar të empatisë. Një narcist, zakonisht kërkon vëmendje të përhershme dhe është i paaftë të ndiejë dhe të kuptojë nevojat e të tjerëve. Kjo shpesh çon në marrëdhënie të thyer dhe konflikte të vazhdueshme, pasi individët narcistë shpesh e shohin botën vetëm përmes prizmit të interesit të tyre.
Nëse ndiheni të humbur në një marrëdhënie që ju bën të dyshoni tek vetja, mos kini frikë të kërkoni ndihmë. Ka jetë përtej manipulimit dhe dhunës emocionale – dhe ajo jetë ia vlen të jetohet.
Ndiqni episodin për më shumë detaje mbi marrëdhëniet me një narcist.
Artikuj të rekomanduar:
- 5 mënyra se si mund të përdorni inteligjencën emocionale kundër një narcisti
- Dashuria për veten dhe narcizmi: Si të dallojmë kufirin
- Ja si të dalloni një narcist të fshehtë, sipas ekspertëve
- A keni një nënë narciste? Pyetjet që duhet t’i bëni vetes
- 5 shenja të sjelljes suaj, që tregojnë se jeni rritur nga prind(ër) narcist!