Janë zbuluar të tjera detaje tronditëse nga ngjarja që tronditi Italinë dhe Shqipërinë, ku 22-vjeçarja Ilaria Sula u gjet në një valixhe, pasi u vra nga i dashuri i saj filipinez, Mark Samson.
Autoritetet italiane kanë treguar se Ilaria është goditur me forcë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, me qëllim që të humbte vetëdijen. Ata pretendojnë se Mark Samson e ka ndjekur vajzën në shtëpinë e saj dhe është futur me forcë në ambientin ku ajo jetonte. Mjekët ligjorë u shprehën se pas një përleshjeje fizike, ajo mund të jetë qëlluar, është përplasur në tokë dhe më tej, është goditur me thikë.
Autori i krimit, që të mos ngjallte dyshime për zhdukjen e 22-vjeçares, komunikonte me miqtë dhe familjarët e saj nëpër rrjetet sociale të viktimës. Sipas dëshmive të mikeve të së ndjerës, ai kishte shkruar në emër të Ilarias se ajo po njihej me një djalë tjetër dhe se do të flinte në shtëpinë e tij.
Ai kishte vijuar komunikimin me shoqen e saj të ngushtë, duke i dërguar edhe foto dhe duke pretenduar se Ilaria kishte kryer marrëdhënie me “djalin që po njihej”. Kur njerëzit nisën të dyshonin, ai e kishte zhdukur telefonin për të fshehur gjurmët.
Gjithashtu, ai komunikonte edhe me nënën e Ilarias, e cila e kuptoi menjëherë se diçka nuk shkonte. Duke qenë se nuk po komunikonte më në kamera me të bijën, Gëzime Sula dhe i shoqi, denoncuan rastin dhe kështu, policia arriti të zbulonte vrasjen makabre.
Trupi i Ilarias u gjet në një zonë me pyje, në një valixhe, duke dëshmuar një krim të tmerrshëm.
Pas pranimit të krimit, autori u dërgoi letër prindërve të së ndjerës, ku shprehej:
“Unë jam Mark Samson dhe po shkruaj nga qelia ku do të qëndroj për disa vjet. Çdo ditë mendoj për krimin mizor që kam kryer dhe nuk di çfarë të them, por mbi të gjitha nuk e di se çfarë më ka ndodhur. Është banale të kërkoj falje për dhimbjen që kam shkaktuar, por dua t’i kërkoj falje Ilarias, nuk e kam respektuar kur ajo donte të më linte. Humba kontrollin dhe u çmenda nga dhimbja. Jam i vetëdijshëm që asgjë që mund të them apo bëj sot nuk do të lehtësojë dhimbjen e familjes. Nuk po përpiqem të zvogëloj përgjegjësitë e mia ose të shpëtoj nga pasojat e veprimeve të mia. Jam i gatshëm të paguaj për mëkatet e mia pa asnjë justifikim.»
Letra nuk e fshin krimin makabër sipas familjes së Ilaria Sulës, e cila përmes avokatit të saj, Giuseppe Sforza, iu përgjigj 23-vjeçarit.
“Teksti i kësaj letre duket më shumë si një pasqyrim i vetes së tij, pa asnjë vëmendje reale ndaj peshës së veprës së kryer. Secili ka të drejtën të shkruajë, por gjithashtu prindërit e Ilarias, gjithë familja e saj, vëllai dhe të tjerët, kanë të drejtën të mos i pranojnë këto ndjesa”.