TV Mania

Pse Zhaklina u votua si opinionistja e preferuar e “BBVA”

Shkruar nga Anabel

15 Prill 2025

Pse Zhaklina u votua si opinionistja e preferuar e “BBVA”

Në katër edicionet e ndryshme të “Big Brother VIP Albania”, në kolltukun e opinionisteve janë ulur 4 gra të ndryshme: Balina Bodinaku, Zhaklin Lekatari, Ori Nebijaj dhe Neda Balluku. Ndërkohë, Arbri ka qenë i pandryshueshëm. Ne kryem një sondazh për të zbuluar se cila opinioniste ju ka pëlqyer më shumë dhe listën e kryesoi Zhaklin Lekatari me 42% të votave.

Kjo përzgjedhje, ndoshta është paksa surprizuese, duke marrë parasysh që Lekatari ka qenë një ndër opinionistet që është përballur me më shumë kritika dhe komente ofenduese, por në fakt, ne besojmë se ka disa arsye që Zhaklina është e preferuara juaj.

E patundur në mendimin e saj

Zhaklina ka qenë një opinioniste me mendime të forta, të cilat nuk kishte frikë t’i shprehte. Edhe nëse haste kundërshti, apo përballej me batuta që e merrnin vëmendjen e opinionit të saj, sërish Lekatari i jepte rëndësi ideve të saj dhe u qëndronte deri në fund. Duket se kjo u ka pëlqyer njerëzve, duke marrë parasysh që opinionistet jo rrallëherë i ndryshonin komentet dhe ndonjëherë edhe janë cilësuar si "fanse" të konkurrentëve.

Zhaklina VS Luizi (dhe publiku)

Pse Zhaklina u votua si opinionistja e preferuar e “BBVA”

Ndryshe nga opinionistet e tjera, Zhaklina u përball me një sfidë pak më të madhe, e cila përfshiu edhe produksionin. Ajo kishte përballë Luizin, i cili u kthye në një prej personazheve më ikonikë të historisë së “BBVA”. Megjithëkëtë, Zhaklina nuk u step përballë gjithë famës së Luizit dhe i tha troç mendimet e saj, duke ngritur edhe kauza për mbrojtjen e grave apo mizogjininë (edhe pse ndonjëherë pa lidhje me situatën). Kështu, mendimet e saj kalonin në një lupë më të madhe dhe sigurisht, komentet negative vërshonin më shumë se për këdo tjetër.

E drejtpërdrejtë

Zhaklina nuk e sheqeroste komentin dhe ne e dimë që sa më hapur të flasësh, aq më mirë është! Publiku e vlerëson sinqeritetin, autentiken dhe e di që nëse ti e thua diçka, edhe nëse është e rëndë dhe nuk i pëlqen, sërish e çmon faktin që dikush e tha shqeto mendimin e vet.

Adresonte kauzat

Zhaklina i adresonte kauzat që edhe mund të harrohen dhe shpesh ka ndodhur që nuk janë diskutuar. Ajo, në rolin e opinionisteve, u jepte rëndësi çështjeve të ndryshme, veçanërisht atyre të grave, edhe pse ndoshta jo në mënyrën më të mirë të mundshme (shpesh me ulërima).

Si përfundim, jo gjithmonë kemi/keni rënë dakord me opinionet e Zhaklinës dhe kjo është mëse në rregull. Fakti që ajo ishte autentike dhe nuk bënte kompromis përballë banorëve, pavarësisht nivelit të pëlqimit dhe famës që gëzonin jashtë, e kanë bërë të fitojë respektin e publikut.

Artikuj të sugjeruar: