Bota

"World Press Photo" shpall foton e vitit: Historia e trishtë pas saj

Shkruar nga Anabel

17 Prill 2025

"World Press Photo" shpall foton e vitit: Historia e trishtë pas

Fotoja e një palestinezi 9-vjeçar, i cili humbi të dy krahët teksa përpiqej t'i shpëtonte një sulmi izraelit në Gaza, është vlerësuar me çmimin e parë nga “World Press Photo 2025”.

Fotoja i përket fotografes palestineze Samar Elouf dhe është realizuar për New York Times. Bëhet fjalë për një portret të Mahmoud Azour, i cili u dërgua në një spital në Doha pasi shpërthimi i fortë bëri që t'i amputoheshin krahët.

“Një nga gjërat më të vështira, siç më shpjegoi nëna e Mahmoud-it, është se kur ai kuptoi se i ishin prerë duart, gjëja e parë që i tha asaj ishte: “Si do të të përqafoj?” tha Samar Elouf.

Fotografja është me origjinë nga Gaza dhe vazhdimisht fotografon portrete të palestinezëve të plagosur rëndë nga lufta, të cilët janë vendosur në Doha.

"Është një fotografi e heshtur, por flet me zë të lartë. Ajo tregon historinë e një djali, por edhe të një lufte të madhe që do të shënojë brezat e ardhshëm," tha Zoumana El Zein Khoury, drejtore ekzekutive e World Press Photo.

"World Press Photo" shpall foton e vitit: Historia e trishtë pas

Juria vlerësoi realizmin e fotografisë, ndriçimin, subjektin, si dhe apelin në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Mahmud.

Ky i fundit po mëson të përdorë telefonin, të shkruajë dhe të hapë dyert me këmbët e tij, duke u përshtatur me jetën e tij të re.

“Mahmoud ka një ëndërr shumë të thjeshtë: ai dëshiron të vendosë proteza dhe të jetojë një jetë si çdo fëmijë tjetër”, shkruan organizatorët e World Press Photo në një deklaratë.

Nëse ëndrra e tij realizohet, Mahmoud do të mundet të përqafojë sërish nënën e tij.

Çfarë është World Press Photo?

World Press Photo është një nga organizatat më prestigjioze ndërkombëtare që merret me foto-reportazhin. Kjo organizatë është e njohur, mes të tjerash, për konkursin vjetor ndërkombëtar të fotolajmeve, ku fotografia që pasqyron më së miri ngjarjet e viti, si dhe me më ndikim, vlerësohet me çmimin “Fotografia e Vitit”.