Besimtarët ortodoksë dhe katolikë festojnë Pashkët
Besimtarët ortodoksë dhe katolikë festuan Pashkët kudo në botë. Kjo ditë konsiderohet festa më e rëndësishme në kalendarin liturgjik të krishterë. Këtë vit, si rrallë herë, festa ishte në të njëjtën ditë si për të krishterët katolikë ashtu edhe për ortodoksë, për herë të parë që nga viti 2017.
Pashkët u mirëpritën me festë në Europë, me shumë kryeqytete të mëdha që organizuan festivale të ndryshme fetare. Në Vatikan, Papa Françesku bëri një turne të dielën e Pashkëve për të bekuar mijëra njerëz në sheshin e Shën Pjetrit.
Zelensky: “Sulmet ruse vazhduan pavarësisht armëpushimit të Pashkëve”
Moska vijoi sulmet të shtunën mbrëma dhe të dielën herët, pavarësisht njoftimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për një armëpushim 30-orësh gjatë Pashkëve, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
"Që nga mëngjesi i Pashkëve, ushtria ruse po përpiqet të krijojë një përshtypje të përgjithshme të një armëpushimi, por në disa vende, ajo nuk braktis përpjekjet ushtarake për të avancuar dhe për të shkaktuar humbje në Ukrainë."
Ministria ruse e Mbrojtjes u kundërpërgjigj, duke deklaruar se forcat ukrainase kanë bërë të njëjtën gjë.
Tjetër skandal në SHBA: Sekretari i Mbrojtjes ndau planet e luftës në Jemen me gruan dhe vëllanë
Sekretari i Mbrojtjes në SHBA, Pete Hegseth, ndau plane të detajuara në lidhje me një operacion ushtarak kundër Houth në Jemen, në një bisedë në një grup në Signal, në telefonin e tij personal. Në grup përfshiheshin gruaja, avokati dhe vëllai i tij.
Asnjëri prej tyre nuk ka poste në Pentagon, nuk është pjesë e Departamentit të Mbrojtjes dhe, për rrjedhojë, nuk duhet të ketë qasje në informacione kaq të ndjeshme për sigurinë kombëtare të SHBA.
Skandali vjen disa kohë pasi Dan Caldwell dhe Darin Selnick, dy këshilltarë të lartë dhe persona të afërt me Hegseth, u pezulluan dhe u shkarkuan javën e kaluar nga Pentagoni, pasi u akuzuan për “shpërndarje të paautorizuar të informacionit”.
Protesta në Londër kundër vendimit për transgjinorët
Mijëra protestues u mblodhën në sheshin e parlamentit të Londrës, disa ditë pasi Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi se një grua do të konsiderohet vetëm një grua e lindur biologjikisht si e tillë (femër), duke përjashtuar kështu gratë transgjinore nga përkufizimi ligjor.
Me shqetësimin mbi të drejtat e personave transgjinorë, protestuesit u mblodhën për një "demonstratë urgjente", me aktivistë që mbanin parulla me slogane të tilla si "gratë trans janë gra".
“Jam e zhgënjyer, pasi mendoja se jetonim në një shoqëri që duket kaq progresive, por që është e gatshme të marrë një vendim kaq të rrezikshëm dhe të dëmshëm.”, tha një aktiviste.