Sophie Nyweide ka ndërruar jetë në moshën 24- vjeçare. Aktorja, e cila u bë e njohur me rolin e saj në filmin e vitit 2009 "Mammoth", është gjetur e pa jetë në datë 14 prill, por lajmi është bërë i ditur këtë mëngjes nga mediat ndërkombëtare.
Kush ishte Sophie Nyweide
Sophie Nywedie ishte një aktore amerikane e njohur për rolet e saj si fëmijë në filma të njohur si "Mammoth" (2009), "An Invisible Sign" (2010) dhe "Margot at the Wedding" (2007). Ajo lindi më 8 korrik 2000 në Vermont, SHBA, dhe filloi karrierën e saj në aktrim në moshën 6-vjeçare me filmin "Bella" (2006).
Në filmin e saj më të njohur, “Mammoth”, ajo luajti rolin e vajzës së personazheve të interpretuar nga Michelle Williams dhe Gael García Bernal. Një nga paraqitjet e saj të fundit ishte në një episod të serialit “Law & Order në vitin 2007”, dhe në vitin 2015 u shfaq në programin reality “What Would You Do?”.
Sophie ishte vajza e aktores Shelly Gibson dhe Jeff Nyweide, dhe u rrit në Manchester, Vermont.
Shkaqet e vdekjes
Sipas një raporti nga TMZ, policia e Bennington po heton të gjitha mundësitë, përfshirë edhe gjasat për ndonjë ngjarje kriminale. Ekzaminimi mjekoligjor dhe analizat toksikologjike janë kryer dhe po pritet pergjigjja e tyre.
Trupi i saj u gjet në breg të një lumi, pranë një gjimnazi. Sipas mediave, bluzat e bardha nuk mund të bënin asgjë për ta ndihmuar, pasi ishte pa shenja jete.
TMZ raporton se në momentin e ngjarjes me të ka qenë një burrë, i cili po bashkëpunon me autoritetet, por nuk konsiderohet i dyshuar.
Familja e aktores konfirmoi vdekjen e saj në një deklaratë, ku thuhej:
"Sophie, një jetë që përfundoi para kohe. Le të mësojmë të gjithë nga prania e saj e shkurtër në këtë botë dhe të bëhemi njerëz më të mirë. Po, ne duhet t'i mbrojmë fëmijët tanë dhe të bëjmë gjënë e duhur me ta.”, thuhej mes të tjerash.
Po ashtu, familja theksoi se Sophie përdorte substanca për vetë-mjekim si pasojë e traumave të pazgjidhura dhe dhimbjeve emocionale të thella.
Me burime nga: TMZ, People