Që nga momenti kur u zgjodh Papë, Papa Françesku ishte një figurë që sfidoi traditën, provokoi debate dhe hapi dyert për diskutime që dikur ishin të paprekshme brenda Kishës Katolike. Ai bëri deklarata që ngjallën reagime të forta – si mbështetje ashtu edhe kundërshti – dhe ndryshuan mënyrën se si bota e sheh rolin e papës sot.
Tetor, 2014: Big Bang
Në një fjalim në Akademinë e Shkencave, Papa u dha fund pseudo-teorive të krijimit, duke theksuar se teoria e krijimit të botës sipas shkencës, Big Bang, nuk është kundër Krijuesit, përkundrazi janë të përputhshme me njëra-tjetrën. “Kur ne lexojmë për Krijimin në gjenezë, rrezikojmë ta imagjinojmë Zotin si një magjistar me një shkop magjik që është në gjendje të bëjë çdo gjë. Por nuk është kështu,” tha ai. “Ai i krijoi qeniet njerëzore dhe i la të zhvilloheshin në bazë të ligjeve të brendshme që i dha secilit në mënyrë që të arrinin përmbushjen e tyre. Teoria e Big Bangut që sot mbahet si origjina e botës, nuk është në kontradiktë me ndërhyrjen e krijuesit hyjnor, ajo ka nevojë për të.”
Prill, 2016: Pranimi i homoseksualëve dhe të divorcuarve
Papa Françesku u kërkoi priftërinjve që të jenë më të hapur në pranimin e homoseksualëve dhe të divorcuarve dhe të tjerë personave që jetojnë në situata që kisha i quan “të parregullta”. “Një pastor nuk mund të ndjejë që është i mjaftueshëm thjesht aplikimi i ligjeve morale, si të ishin gurë për t’u hedhur në jetët e njerëzve”. Papa theksoi se “diskriminimi i padrejtë” ndaj gay-ve dhe lesbikeve është i papranueshëm.
Qershor, 2016: Kisha duhet t’i kërkojë falje komunitetit LGBT+
“Përsëris atë që katekizmi i Kishës Katolike thotë: Ata nuk duhet të diskriminohen, ata duhet të respektohen dhe të shoqërohen në mënyrë pastorale,” tha Papa në një konferencë në avionin papal teksa kthehej nga Armenia. “Kisha duhet të kërkojë të falur sepse shumë herë nuk është sjellë siç duhet [dhe] kur them kisha, e kam fjalën për të krishterët! Kisha është e shenjtë, ne jemi mëkatarët.”
Shkurt, 2017: Më mirë të jesh ateist, se...
Papa Françesku i përcolli botës disa mesazhe si kurrë më parë. Ai kritikoi jetën e dyfishtë që bëjnë disa prej anëtarëve të kishës. Papa tha se më e ndershme do të ishte të jesh ateist, sesa një hipokrit që pretendon se është i krishterë.
Mars, 2017: Kam mëkatuar
Në një intervistë asokohe, Papa rrëfeu se ndonjëherë i ndodhte të ndihej bosh dhe se kishte momentet e tij të errëta, por përsëri kërkonte ndihmën e Zotit për t’i kaluar. I pyetur nëse i kishte ndodhur të dyshonte ndonjëherë në thirrjen e tij, u shpreh: “Njeriu nuk mund të rritet nëse nuk kalon sfida apo momente dyshimi në jetën e tij. Madje dhe ndryshimi biologjik i njeriut është një krizë më vete apo jo? Procesi i kalimit nga fëmijëria në maturim. E njëjta gjë ndodh dhe me fenë”. Papa u shpreh se ndihej njëri si gjithë të tjerët, kishte mëkatuar dhe kishte patur momentet e tij të dobëta. “Nuk më pëlqejnë kur më idealizojnë, pasi idealizimi është formë e fshehur e agresionit.”
Maj, 2018: Homoseksualiteti u krijua dhe dhurua nga Zoti
Një mbijetues i abuzimit seksual nga një klerik deklaroi se Papa Françesku i tha se Zoti e bëri gay dhe e donte. Juan Carlos Cruz, i cili foli privatisht me Papën në lidhje me abuzimin që i shkaktoi një pedofil famëkeq në Kili, tha se biseda arriti deri te seksualiteti i tij sepse peshkopët në Amerikën Latine e përdorën kundër tij dhe e bënë të dukej pervers dhe gënjeshtar. “Më tha, ‘Juan Carlos, fakti që je gay nuk ka rëndësi. Zoti të bëri të tillë dhe të do të tillë. Për mua s’ka rëndësi. Papa të do kështu si je. Duhet të jesh i lumtur me veten tënde,’” tha Cruz për gazetën spanjolle El País. Zëdhënësi i Vatikanit asokohe nuk konfirmoi nëse deklarata e Cruz i përputhej kontekstit dhe bisedës me Papën.
Shkurt, 2019: Priftërinjtë kanë abuzuar seksualisht me murgeshat
Pas pyetjes së një gazetari në avionin që po merrte Papën nga një udhëtim në Emiratet e Bashkuara Arabe, ai pranoi se priftërinjtë dhe peshkopët kanë sulmuar seksualisht murgershat. “Kishte priftërinj dhe peshkopë gjithashtu që e bënin këtë”, pohoi Papa.
Tetor, 2020: Bashkimi civil brenda të njëjtit seks
Papa dha mbështetjen e tij më të qartë për bashkimet civile brenda të njëjtit seks. Ai tha: “Njerëzit homoseksualë kanë të drejtë të jenë në një familje. Ata janë fëmijë të Zotit dhe kanë të drejtë për një familje. Askush nuk duhet të hidhet jashtë. Ajo që duhet të krijojmë është një ligj i bashkimit civil.”
Tetor, 2023: Papa Françesku sugjeron se Kisha Katolike mund të bekojë çiftet homoseksuale
Duke iu përgjigjur një grupi kardinalësh që i kërkuan atij qartësi për këtë çështje, ai tha se çdo kërkesë për bekim duhet të trajtohet me "bamirësi baritore". "Ne nuk mund të jemi gjyqtarë që vetëm mohojnë, refuzojnë dhe përjashtojnë," tha ai. Ai shtoi, megjithatë, se Kisha ende i konsideronte marrëdhëniet e të njëjtit seks "objektivisht mëkatare" dhe nuk do të njihte martesën brenda të njëjtit seks. Papa tha se Kisha e kupton martesën si një "bashkim ekskluziv, të qëndrueshëm dhe të pazgjidhshëm midis një burri dhe një gruaje" dhe duhet të shmangë "çdo lloj riti apo sakramenti që mund të kundërshtojë këtë bindje".Por ai shtoi se “kur kërkohet një bekim, është shprehja e një lutjeje për Zotin për ndihmë, një lutje për të jetuar më mirë”.
Artikuj të sugjeruar:
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.