Danela Shima, një nga pjesëmarrëset e eliminuara nga Ferma VIP 2, tërhoqi vëmendje brenda Fermës me historinë e vëllait të saj "dragua", i cili ishte ndarë nga jeta përpara lindjes së saj, si pasojë e një aksidenti.
Këtë histori ajo e shpjegoi më tej edhe në Ferma Club, duke thënë:
"Jo gjithë familja e ka ditur këtë pjesë. Mami e mbronte dhe e ruante [vëllain] nga shumica e njerëzve, dhe nga familjarët tanë. Ishte një frikë se ai ikte natën, kur binte shi zakonisht, ikte natën dhe vinte natën. Lidhej dhe zgidhej vetë. Hipte në pemë dhe zbriste me sekonda, ti nuk e kuptoje momentin se si ai rishfaqej dhe rizhdukej. Në momentin që është bërë xhenazeja në shtëpi, është ndërruar arkivoli tre herë sepse ai vetëm zgjatej dhe rritej. Edhe shtëpia që ai ka kërkuar, se i dilte gjatë gjithë kohës mamit, babit në ëndërr, thoshte 'Më duhet një shtëpi se më lag shiu', sot e kësaj dite përkujdesemi akoma për atë shtëpi."
Historia e fëmijëve "dragua" është një legjendë e njohur që pak veta mund të kenë kaluar pa e dëgjuar. Ajo që është alarmante, është fakti që ende shumë njerëz i marrin për të mirëqena këto histori dhe nuk thellohen në shpjegimet e mundshme shkencore të këtyre fëmijëve që lindin "me flatra", përderisa mbeten vetëm gojëdhëna.
Një shpjegim më të detajuar të gjithë këtij fenomeni, e kemi dhënë në një artikull të vitit 2021, të cilin po e rikthejmë më poshtë:
“Fëmija me flatra dragoi” mund të jetë një nga historitë që me gjasë shumë prej jush e kanë dëgjuar të paktën një herë nga gjyshërit. Kjo gjë shpjegon pse shumë ndjekës në Instagramin e Anabel Media – referuar temës për historitë e çuditshme që u kanë thënë gjyshet – përmendën pikërisht këtë histori.
Përshkrimet ndryshojnë, por përgjithësisht përshkruhet një fëmijë në trupin e të cilit gjendet një pendë ose flatra dragoi. Sipas historive, asnjë nuk duhet t’i shohë flatrat, përveç të ëmës, ndryshe fëmija vdes. Në disa histori përshkruhet edhe si fëmijë që lufton me kuçedrat.
Ekzistenca e një njeriu të tillë – qartazi me fuqi të mbinatyrshme në gjendje të fluturojë dhe luftojë të keqen – nuk është krejt rastësore. Etnofolklori mund të shpjegojë më mirë lidhjen e këtij besimi shqiptar me figurën e dragoit.
Pse dragua?
Dragoi dhe Kuçedra janë dy figura gjerësisht të përhapura në mitologjinë shqiptare, nga veriu në jug. Përgjithësisht sfidojnë njëri-tjetrin, ku Dragoi shihet si e mira dhe Kuçedra si e keqja.
Në disa zona, më së shumti në jug të vendit, përshkruhet si fëmijë “me këmishë” i cili nën sqetull ka një pupël a flatra. Nga besimi për dragonjtë mendohet se ka ardhur edhe qasja që njerëzit nuk duhen mallkuar me “t’u thafshin krahët”, sepse nëse janë dragonj, vdesin.
At Shtjefën Gjeçovi, i konsideruar si kolosi i studimeve folklorike, shprehej se ai që lind me këmishë, ose flatra të arta nën sqetull, bëhej dragua. Te krijimtaria e Gjergj Fishtës e gjejmë gjithashtu figurën e dragoit, një figurë që ka shërbyer edhe për vepra të tjera ku rinterpretohen mitet.
Pra, dragoi, ashtu si gjarpri, shtriga, shejtani, zanat, hijet etj., është i pranishëm në folklorin shqiptar si pjesë e përshkrimeve dhe interpretimeve naive të dukurive të jashtme, të pashpjegueshme për njeriun primitiv.
Shpjegimi shkencor
Historitë përshkruajnë një individ, zakonisht foshnjë, që ka pendë nën sqetull, ose flatra. Në pjesën më të madhe të historive, ky individ vdes kur është foshnjë ose fëmijë. Pra, nga ana mjekësore mund të kemi të bëjmë me një anomali të lindur.
Në vitin 2015, u bë virale historia e një djaloshi të lindur me sindromën Congenital Melanocytic Naevi (nishanë ose shenja të theksuara të lindura). Oliver u përshkrua nëpër media se “duket si engjëll”, për shkak se shenja në shpinën e tij kishte formën e krahëve të engjëllit. Një tjetër foshnje ka lindur me një si formë sqepi në faqe.
Një prej ndjekëseve të Anabel, me profesion mjeke, u shpreh se në disa histori, “fëmijët-dragonj” përshkruhen si “me disa damarë të ngritur”. Sipas saj, mund të jetë një lloj keqformimi arterio-venoz.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.