Konklava për të zgjedhur pasardhësin e Papa Françeskut do të mblidhet më 7 maj
Kardinalët katolikë kanë caktuar 7 majin si datën e fillimit të konklavës për të zgjedhur pasardhësin e Papa Françeskut, duke e shtyrë votimin e fshehtë për dy ditë për t'i ndihmuar ata të njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe të gjejnë konsensus për një kandidat përpara se të izolohen në Kapelën Sistine.
Kardinalët caktuan datën pasi zhvilluan takimin e parë joformal pas funeralit të Papa Françeskut të shtunën.
Papa Françesku, kreu i Kishës Katolike Romake, ndëroi jetë më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare, në rezidencën e tij në Vatikan.
Ndërprerje masive e energjisë elektrike në Francë, Portugali e Spanjë
Një ndërprerje masive e energjisë elektrike preku të hënën, 28 prill, shumicën e Spanjës, Portugalisë dhe pjesë të Francës jugore. Rreth mesditës, sistemi i energjisë elektrike doli jashtë kontrollit, duke shkaktuar kaos në transport, komunikim dhe shërbime të tjera jetike.
Në Spanjë, qytete si Madrid, Barcelona, Valencia dhe Sevilje mbetën pa energji për disa orë. Metro dhe trenat u ndaluan, semaforët nuk funksiononin dhe aeroportet aktivizuan gjeneratorë emergjentë. Në Portugali, qytetet kryesore përjetuan të njëjtën situatë, me ndërprerje energjie elektrike në metro, trenat dhe rrjetin mobil. Edhe disa pjesë të Francës jugore patën të tilla probleme përkohësisht.
Putin shpall armëpushim tre-ditor me Ukrainën
Presidenti rus, Vladimir Putin shpalli një armëpushim tre-ditor në luftën me Ukrainën. Ky është armëpushimi i parë mes Rusisë dhe Ukrainës që nga nisja e luftës më 24 shkurt 2022.
Kremlini tha se armëpushimi 72-orësh do të zgjasë nga fillimi i 8 majit deri në fund të 10 majit. Ky armëpushim vjen në kuadër të festimeve të 80-vjetorit të fitores së Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij në Luftën e Dytë Botërore.
Megjithatë, në rast të shkeljes së armëpushimit nga pala ukrainase, forcat e armatosura të Rusisë do të japin një "përgjigjje të menjëhershme", thuhet në deklaratë.
Zgjedhjet në Kanada: Fiton Partia Liberale
Në zgjedhjet federale të Kanadasë të mbajtura më 28 prill 2025, Partia Liberale fitoi sërish, duke siguruar një mandat të katërt radhazi. Mark Carney, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Kanadasë dhe të Anglisë, u bë Kryeministër, duke pasuar Justin Trudeau.
Megjithatë, partia nuk arriti të sigurojë shumicën absolute, duke krijuar një qeveri pakicë me 145 deputetë.
Rezultati u ndikua nga rritja e nacionalizmit kanadez pas kërcënimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të aneksuar Kanadanë si shtetin e 51-të. Kjo ka shtuar pasiguri politike dhe ekonomike, duke e bërë më të vështirë kalimin e legjislacionit dhe bisedimet tregtare me SHBA-në.